Agjentët e Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit të Drogës në Republikën Dominikane kanë sekuestruar një ngarkesë prej rreth 1.6 tonësh kokainë. Lënda narkotike, e ndarë në 1670 pako, u kap në brigjet e provincës Pedernales, ndërsa operacioni për sekuestrimin u shoqërua me tensione të larta dhe shkëmbime zjarri mes trafikantëve dhe autoriteteve.
Në një konferencë për mediat, zëdhënësi i agjencisë Carlos Devers, njoftoi se operacioni u nis pas marrjes së raporteve të inteligjencës në lidhje me një anije të tipit “Eduardono” që kishte hyrë në ujërat e vendit. Zhvillimi i operacionit përfshinte një forcë të kombinuar të njësive detare, ajrore dhe tokësore.
Devers tha se kur e gjetën veten të bllokuar, ekuipazhi i anijes rriti shpejtësinë dhe dolën në breg pranë Playa Blanca, një komunitet në Trudille.
Më pas me të zbritur nga anija trafikantët hapën zjarr ndaj ushtrisë dhe oficerëve të përfshirë, dhe pas konfrontimit, në të cilin deri më tani nuk janë raportuar të lënduar, ata arritën të arratisen duke hyrë në zonën pyjore të Parkut Kombëtar Jaragua.
Pasi zona u sigurua, ekipet inspektuan anijen 32 metra të gjatë, ku brenda saj u gjetën 1,670 pako me substancën dhe bidona me karburant, si dhe pajisje të përparuara komunikimi.
“Këto janë organizata kriminale që përdorin anije që transportojnë drogë me teknologji të përparuar për të sjellë ngarkesa të mëdha nga Amerika e Jugut”, shpjegoi Devers.
Devers deklaroi se, deri më tani në vitin 2026, janë sekuestruar më shumë se 10 ton drogë. Kjo përforcon lidershipin e Republikës Dominikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional në rajonin e Karaibeve.
Ai tregoi se aktualisht, pakot janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shkencave Ligjore ( INACIF ) për të përcaktuar peshën dhe llojin e saktë të substancës.
Ai shtoi gjithashtu se fluturimet e zbulimit dhe kërkimet tokësore po vazhdojnë me qëllim kapjen e të arratisurve dhe arrestimin e tyre./mxh
