Presidenti amerikan Donald Trump ishte objekt i një tentative të dyshuar atentati gjatë darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa i akuzuari kryesor, Cole Allen, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat në gjykatën federale në Uashington.
Allen, 31 vjeç, nuk foli gjatë seancës gjyqësore, ndërsa avokatja Tezira Abe tha se klienti i tij është i pafajshëm. Ai përballet me akuza të rënda, përfshirë tentativë për vrasjen e presidentit amerikan, sulm ndaj një agjenti federal dhe shkelje të ligjeve për armët.
Sipas prokurorëve amerikanë, Allen dyshohet se hapi zjarr me armë gjahu ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret dhe më pas kaloi me forcë një pikë sigurie gjatë aktivitetit të organizuar në darkën tradicionale të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku merrnin pjesë Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane.
Avokatët mbrojtës kërkuan që disa drejtues të lartë të Departamentit të Drejtësisë të përjashtohen nga çështja, duke argumentuar se mund të konsiderohen viktima ose dëshmitarë dhe kjo krijon konflikt interesi. Mes tyre përmenden Prokurorja Federale Jeanine Pirro dhe Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Todd Blanche, të cilët ndodheshin në aktivitet në momentin e incidentit.
Avokati Eugene Ohm deklaroi në gjykatë se do të kërkojnë edhe përjashtimin e të gjithë zyrës së prokurorisë federale në Uashington nga hetimi dhe ndjekja penale e çështjes. Sipas tij, është “krejtësisht e papërshtatshme” që persona që mund të konsiderohen viktima të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të ndjekjes penale.
Gjykatësi federal Trevor McFadden nuk dha vendim të menjëhershëm për kërkesën e mbrojtjes, por kërkoi sqarime shtesë lidhur me përmasat e kërkesës për përjashtim. Hetuesit thonë se Allen kishte udhëtuar me tren drejt Uashingtonit duke mbajtur me vete një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai kishte rezervuar një dhomë në hotelin ku po mbahej aktiviteti i madh mediatik dhe politik.
Në sallën e gjyqit, Allen u paraqit i veshur me uniformë portokalli burgu dhe me pranga. Kjo ishte paraqitja e tij e parë para gjykatësit McFadden, i cili do të drejtojë procesin gjyqësor në vazhdim. Ndërkohë, një gjykatës tjetër në Uashington kishte kërkuar falje publikisht ndaj Allen për mënyrën si ishte trajtuar në paraburgim. Sipas avokatëve, ai ishte vendosur në izolim, në një dhomë të mbushur me drita të forta gjatë gjithë kohës, ishte kontrolluar vazhdimisht fizikisht dhe mbajtur në kushte të rënda sigurie.
Prokurorët deklaruan se Allen u kishte thënë agjentëve të FBI-së se nuk priste të mbijetonte pas sulmit, gjë që sipas autoriteteve justifikoi vendosjen e tij nën mbikëqyrje për rrezik vetëvrasjeje pas arrestimit.
Allen përballet me disa akuza federale dhe, nëse shpallet fajtor për tentativën e atentatit ndaj presidentit amerikan, mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për datën 29 qershor./mxh
