Last Updated on 30/04/2026 by EL
Është parandaluar një tjetër tentativë e futjes së sendeve të ndaluara në burgun e Rrogozhinës. A2 CNN mëson se gjatë kontrollit të ushtruar ndaj familjarëve, u evidentua futja e një telefoni celular në regjimin e brendshëm të institucionit.
“Gjatë kontrollit të shtetases B. D., e cila kishte ardhur për takim me bashkëshortin e saj, të dënuarin F. D., u zbulua një telefon celular tip “Samsung Smart”, me ngjyrë të zezë, i fshehur në pjesën e pasme të pulpës së mbështjellë me fasho farmaceutike, me qëllim shmangien e evidentimit gjatë kontrollit”, njofton drejtoria e Burgjeve në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit, menjëherë u pezullua takimi i të burgosurit me bashkëshorten, u mbajt procesverbal për bllokimin e sendit, si edhe u njoftuan drejtuesit e institucionit dhe u vu në dijeni Specialisti i SHKB për vijimin e veprimeve hetimore.
Ndërsa paralelisht, po ushtrohet kontroll në ambientin ku është i akomoduar i dënuari./ET
