Terapia hormonale e menopauzës, mund të ketë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të kockave, sipas një studimi të ri të prezantuar në takimin vjetor “ENDO 2026” të Shoqatës Endokrine në SHBA, sipas “Science”.
Studimi, i udhëhequr nga studiuesi, Diego Espinoza-Peralta dhe një ekip kërkimor nga Meksika dhe Ekuadori, analizoi 387 gra pas menopauzës, që iu nënshtruan matjes së densitetit mineral të kockave me skanim DXA, gjatë periudhës 2021–2025.
Nga pjesëmarrëset, 129 gra përdornin terapi hormonale për menopauzën, ndërsa 258 nuk e përdornin.
Densiteti i ulët mineral kockor, që përfshin osteopeninë dhe osteoporozën, u konstatua te 31,8% e grave që merrnin terapi hormonale, krahasuar me 56,2% të grave që nuk e merrnin atë.
Pas shqyrtimit të faktorëve të tjerë, përfshirë moshën, vitet që nga menopauza, indeksin e masës trupore, nivelin e vitaminës D, duhanpirjen dhe sëmundjet metabolike, studiuesit gjetën se gratë që përdornin terapi hormonale, kishin 69% më pak gjasa për të pasur densitet të ulët mineral kockor.
Studimi zbuloi gjithashtu se përdorueset e terapisë hormonale, kishin densitet më të lartë kockor në zona të rëndësishme, përfshirë shtyllën kurrizore dhe ijet.
Ndërkohë, numri i viteve që kishin kaluar nga menopauza dhe duhanpirja, u shoqëruan me rrezik më të lartë për densitet të ulët kockor, ndërsa nivelet më të larta të vitaminës D u shoqëruan me rrezik më të ulët.
Pse është e rëndësishme?
Rënia e estrogjenit pas menopauzës përshpejton humbjen e masës kockore dhe mund të rrisë rrezikun e osteoporozës dhe frakturave.
Për këtë arsye, ruajtja e densitetit të kockave është një nga përfitimet e njohura të terapisë hormonale të menopauzës.
Rekomandimet ndërkombëtare, e njohin terapinë hormonale si një mundësi për parandalimin e humbjes së kockave dhe reduktimin e rrezikut të frakturave te gratë e përshtatshme për këtë trajtim.
Raporti përfitim-rrezik konsiderohet përgjithësisht më i favorshëm, kur terapia fillon para moshës 60 vjeç ose brenda 10 viteve nga fillimi i menopauzës, në mungesë të kundërindikacioneve.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet e studimit të ri, nuk provojnë se terapia hormonale shkakton drejtpërdrejt rritjen e densitetit kockor.
Studimi është retrospektiv dhe vëzhgues, ndaj mund të tregojë një lidhje, por jo domosdoshmërisht shkak-pasojë.
Ekspertët theksojnë se terapia hormonale, nuk është një trajtim i përshtatshëm për çdo grua.
Vendimi duhet të merret individualisht, duke peshuar përfitimet dhe rreziqet sipas moshës, kohës që ka kaluar nga menopauza, simptomave, historisë mjekësore dhe faktorëve të rrezikut për sëmundje të tjera.
Në këtë kuadër, studimi i ri sugjeron se mbrojtja e kockave, mund të jetë një përfitim i rëndësishëm shtesë, i terapisë hormonale për gratë e përzgjedhura, përtej trajtimit të simptomave të menopauzës./mxh
