Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi rajonin juglindor të Tajvanit, në qarkun Taitung, njoftoi Administrata Meteorologjike e ishullit. Tërmeti u ndje edhe në kryeqytetin Taipei, ndërsa thellësia e tij ishte 11.9 kilometra.
Autoritetet e zjarrfikësve njoftuan se deri tani nuk ka raportime për dëme apo të lënduar. Kompania tajvaneze e mikroçipave, TSMC, bëri me dije se tërmeti nuk arriti nivelin që të kërkonte evakuimin e fabrikave.
Tajvani ndodhet pranë bashkimit të dy pllakave tektonike dhe është i njohur për aktivitetin sizmik. Në të kaluarën, tërmetet e mëdha kanë shkaktuar viktima masive, si ai i vitit 2016 me mbi 100 të vdekur dhe tërmeti i vitit 1999 me magnitudë 7.3, që mori jetën e më shumë se 2,000 personave./mxh
