Jake Reiner duket se ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij, vetëm tetë muaj pasi humbi në mënyrë tragjike prindërit e tij, regjisorin e njohur Rob Reiner dhe bashkëshorten e tij, Michele.
35-vjeçari është martuar me të fejuarën e tij, Maria Gilfillan, në një ceremoni të vogël të zhvilluar në fillim të muajit gusht. Lajmi është raportuar fillimisht nga TMZ dhe më pas është konfirmuar nga PEOPLE.
Çifti ka preferuar ta mbajë lidhjen larg vëmendjes së publikut. Nuk dihet se kur janë njohur apo prej sa kohësh kanë qenë bashkë, ndërsa një nga momentet e rralla publike të tyre ishte në tetor 2025, kur Jake publikoi disa fotografi me Marian në një dasmë në Las Vegas.
Martesa vjen në një periudhë tepër të dhimbshme për Jake, i cili vetëm pak muaj më parë kishte rrëfyer publikisht se një nga pengjet më të mëdha ishte fakti që prindërit e tij nuk do të mund ta shihnin atë duke u martuar.
“Prindërit e mi nuk do të jenë në dasmën time, nuk do të mund të mbajnë nipin apo mbesën e tyre të ardhshme dhe nuk do të më shohin të kem karrierën e suksesshme për të cilën ende po përpiqem”, kishte shkruar ai në një letër emocionale.
Pak ditë para publikimit të lajmit për martesën, Jake dha edhe intervistën e tij të parë televizive që prej vdekjes së prindërve. Gjatë bisedës me KABC-TV, ai u shfaq me një unazë në dorën e majtë, duke nxitur dyshimet se ceremonia tashmë kishte ndodhur.
Jake foli edhe për dhimbjen që ka përjetuar pas humbjes së prindërve, duke e përshkruar situatën si një realitet që e përballon çdo ditë.
“Kanë kaluar tetë muaj. Në të njëjtën kohë duket sikur kanë kaluar tetë vite dhe sikur kanë kaluar vetëm tetë minuta”, u shpreh ai.
Rob dhe Michele Reiner u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në Kaliforni më 14 dhjetor 2025. Në lidhje me vdekjen e tyre është arrestuar djali tjetër i çiftit, Nick Reiner, i cili është akuzuar për dy vepra penale të vrasjes së shkallës së parë.
Nick, 32 vjeç, është deklaruar i pafajshëm dhe mbahet pa mundësi lirimi me kusht në një burg në Los Angeles. Ai pritet të rikthehet në gjykatë më 15 shtator për një seancë paraprake.
Ndërkohë, Jake ka treguar se së bashku me motrën e tij, Romy, po përpiqen të përballen me një realitet të dhimbshëm, ndërsa vazhdojnë të kërkojnë mënyrën për të jetuar pas humbjes së prindërve./mxh
