Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) duhet t’i japë përparësi sigurisë dhe “të nxisë një mjedis sigurie universale”, u tha të martën Presidenti kinez, Xi Jinping, udhëheqësve të bllokut në një samit në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.
Duke theksuar se SCO duhet të mbështesë dialogun dhe konsultimet, Xi i bëri thirrje grupit të “përmirësojë qeverisjen në një mënyrë të drejtë dhe të rregullt”, sipas agjencisë shtetërore Xinhua News.
Në Bishkek po mbahet një samit dyditor i Këshillit të Krerëve të Shteteve të SCO-së, një bllok euroaziatik, i cili filloi të hënën, duke shënuar 25-vjetorin e grupit.
Deklarata e Xi erdhi mes luftës Rusi-Ukrainë, luftës së SHBA-së me Iranin dhe gjenocidit të vazhdueshëm izraelit në enklavën palestineze të Gazës.
Përveç presidentit Xi, në samit po marrin pjesë Presidenti rus Vladimir Putin, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, Presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev, Presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon dhe Presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, si dhe Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe kryeministri indian Narendra Modi.
“Kina e sheh Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si një zonë prioritare për ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të Iniciativës ‘Një Brez, një Rrugë’ dhe zbatimin e Iniciativës së Zhvillimit Global”, tha Xi.
Ai tha se Kina është e gatshme të ndihmojë në ndërtimin e SCO-së në një “platformë të rëndësishme për zbatimin e Iniciativës së Sigurisë Globale”.
Kina është gjithashtu e gatshme të punojë me të gjitha palët për të zbatuar Iniciativën e Qytetërimit Global dhe mbështet SCO-në në ndjekjen e një bashkëpunimi shembullor për të zbatuar Iniciativën e Qeverisjes Globale, shtoi Xi.
Duke theksuar se grupimi duhet të “hedhë një themel të fortë për miqësi ndër breza” dhe “të sjellë një të ardhme me prosperitet të përbashkët”, Xi njoftoi se Pekini do të krijojë një qendër bashkëpunimi për arsimin bazë Kinë-SCO./mxh