Last Updated on 09/10/2025 by adminfjala
Një reflektim mbi errësirën morale dhe çmimin e mbijetesës
Nga Leonard Veizi
Në një kohë kur kinemaja është e mbushur me superheronj, efekte speciale dhe botë të shpëtuara në minutën e fundit, ndonjëherë vjen një film që e kthen vështrimin drejt asaj që zakonisht e shmangim: shkatërrimit të brendshëm të njeriut. Por ka dhe një film që nuk tregon asgjë heroike, nuk ofron shpëtim, por na fut në një bunker të errët ku njeriu zhvesh çdo shtresë morali, duke u kthyer në atë që në thelb është: një qenie e brishtë që lufton me hijet e veta. Në këtë kuptim, filmi nuk është më një fantazi apokaliptike, por një metaforë e përditshme për shoqërinë moderne, ku frika dhe vetmia janë muret e padukshme të secilit prej nesh…
…Pas çdo lufte, pas çdo apokalipsi të imagjinuar apo real, qëndron pyetja themelore: çfarë mbetet nga njeriu kur çdo gjë tjetër shuhet? Filmi “The Divide”, prodhim i vitit 2011, me regji të Zavier Zhens, është një përgjigje e frikshme për këtë pyetje. Ai nuk është thjesht një film post-apokaliptik, por një studim anatomik i shpirtit njerëzor, i vendosur në një hapësirë të mbyllur, ku drita e qytetërimit zbehet me çdo orë që kalon.
Në pamje të parë, filmi hapet si një thriller klasik: një shpërthim bërthamor godet Nju Jorkun dhe një grup njerëzish shpëton duke u fshehur në bodrumin e ndërtesës. Aty ndodhen burra e gra që nuk kanë asgjë të përbashkët, veç frikës. Në mesin e tyre janë Eva, që interpretohet nga Loren German, Merilin që interpretohet nga Rozana Arket, Miki që interpretohet nga Majkëll Bin – menaxheri i ndërtesës, dhe disa të tjerë që e ndajnë të njëjtin ajër, por jo të njëjtën mënyrë mbijetese.
Bunkeri ku futen është simboli i strehës dhe burgut njëkohësisht. Ai i shpëton nga shpërthimi jashtë, por i mbyll në një tjetër katastrofë: atë të shkatërrimit të brendshëm. Me kalimin e ditëve, ndërsa mungesa e ushqimit, uji dhe oksigjeni bëhen të padurueshme, fillon të shfaqet fytyra e vërtetë e njeriut. Civilizimi, morali, ndjeshmëria – gjithçka fillon të shkërmoqet si një maskë që bie ngadalë nga fytyra.
Miki, ish-ushtarak, përpiqet të ruajë kontrollin, por shndërrohet në diktatorin e vogël të strehës. Të tjerët i binden, pastaj rebelohen, pastaj çmenden. Një nga personazhet thotë: “Ne nuk jemi më njerëz. Jemi thjesht kafshë që presin të vdesin.” Dhe në fakt, filmi e tregon me një ndershmëri të tmerrshme këtë zbritje drejt errësirës. Dhuna, përdhunimi, tradhtia, çmenduria – çdo instinkt primitiv ngrihet mbi rrënojat e moralit.
“The Divide” nuk është film që të ofron shpresë; përkundrazi, ai të hedh në pasqyrën e errët të vetes. Regjisori Zavier Zhens nuk kërkon të tregojë heroizëm, por çmimin që paguhet për mbijetesë. Ai e zhvesh njeriun nga çdo mbulesë kulturore, derisa mbetet trupi, frika dhe etja për të jetuar – një përzierje që shndërrohet shpejt në dhunë.
Simbolika është e qartë: bunkeri është shoqëria moderne e mbyllur në vetvete. Jashtë është apokalipsi fizik, brenda është apokalipsi moral. Në murin ku varet flamuri amerikan, shfaqet ironia më e hidhur: një komb që ndërtoi botën moderne përfundon në një dhomë të errët ku njerëzit hanë njëri-tjetrin për një copë bukë.
Eva, personazhi që ruan një grimcë njerëzillëku, është e vetmja që përpiqet të dalë nga ky ferr. Ajo përfaqëson njeriun që kërkon dritën, edhe kur ajo është pothuaj e shuar. Por rruga e saj nuk është drejt shpëtimit, por drejt vetëdijes. Në fund, kur bunkerët janë shndërruar në varre dhe njerëzit janë zhdukur një nga një, ajo del në sipërfaqe për të parë një botë të djegur. Qielli është gri, qyteti i kthyer në hi, por sytë e saj janë ende gjallë.
Ky fund nuk është optimist, por filozofik: njerëzimi mund të ketë humbur gjithçka, por vetëdija për errësirën mbetet si forma më e lartë e shpresës. Eva nuk del për të jetuar – del për të parë se çfarë mbeti nga ajo që dikur quhej “bota”.
“The Divide” është një film që mund të lexohet në shumë nivele. Në një nivel politik, është kritikë ndaj frikës kolektive dhe mënyrës si shoqëria e konsumit zhduket në momentin që bie energjia elektrike. Në nivel psikologjik, është një eksperiment mbi kufijtë e moralit. Dhe në nivel metafizik, është pyetja e lashtë e ekzistencës: a është njeriu i mirë nga natyra, apo vetëm i dresuar nga rregullat?
Filmi i Zavier Zhens e vendos spektatorin në pozitën e Zotit që sheh krijesat e tij të shkatërrohen nga brenda. Nuk ka më ndarje mes viktimës dhe kriminelit, sepse situata i përpin të gjithë. Edhe dashuria, që në fillim është e brishtë, kthehet në mallkim. Edhe miqësia bëhet armë.
Në një nga skenat më tronditëse, një nga burrat, pasi e ka humbur arsyen, lyen fytyrën me blozë dhe qesh para pasqyrës. Kjo është pasqyra e njerëzimit në prag të zhdukjes: një qenie që nuk di më kush është, që e ka harruar dritën, por ende e kërkon.
Në fund, “The Divide” nuk flet për fundin e botës, por për fundin e njeriut si qenie morale. Bunkeri është alegoria e qytetërimit tonë – teknologjik, i sigurt në pamje të parë, por i brishtë në thelb. Një krizë, një luftë, një virus a një katastrofë mjafton që maskat të bien dhe instinktet të marrin timonin.
Në këtë kuptim, filmi është më aktual se kurrë. Ai i flet një epoke që jeton me frikën e kolapsit, me ndarjen sociale, me paranojën e kontrollit dhe me shpërbërjen e lidhjeve njerëzore. Dhe ndoshta pyetja që na lë në fund është më e thjeshta, por edhe më e dhimbshme: nëse nesër do të na mbyllnin të gjithëve në një bunker, kush do të ishim pas tre ditësh?
“The Divide” nuk kërkon përgjigje. Ai vetëm të detyron të shohësh në pasqyrë dhe të pranosh atë që sheh. Sepse ndoshta, brenda çdo bunkeri, qëndron një copëz e vogël nga vetja jonë.