Donald Trump ka shkaktuar zemërim te deputetët britanikë dhe veteranët, pasi pretendoi se trupat e NATO-s qëndruan larg vijës së frontit gjatë luftës në Afganistan, shkruan sot The Guardian.
Presidenti amerikan i bëri këto komente në një intervistë për Fox News, ku përsëriti sugjerimin e tij se NATO nuk do ta mbështeste SHBA-në nëse kjo do ta kërkonte.
Deklaratat e tij u dënuan gjerësisht nga i gjithë spektri politik në Britani, me kritikët që përmendën 457 vdekjet e britanikëve në Afganistan dhe theksuan shmangien e shërbimit ushtarak nga ana e Trump-it gjatë luftës në Vietnam.
Në total, 3,486 trupa të NATO-s humbën jetën në konfliktin 20-vjeçar, prej të cilëve 2,461 ishin personel ushtarak amerikan. Kanadaja pësoi 165 vdekje, përfshirë edhe civilë.
Danimarka, e cila ka qenë në përplasje me SHBA-në për shkak të synimeve të Trump-it ndaj Groenlandës, pati 44 vdekje luftarake në Afganistan, numri më i lartë për frymë jashtë SHBA-së.
Në intervistën për Fox News, Trump tha: “Ne kurrë nuk kemi pasur nevojë për ta. Ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan… dhe e bënë, por qëndruan pak më mbrapa, pak larg vijës së frontit.”/kb
