Last Updated on 28/07/2025 by adminfjala
Royal Albert Hall, Londër. Claudia Winkleman në rolin e prezantueses, ndërsa Orkestra Simfonike e BBC-së nga Skocia interpretonte mjeshtërisht versione të orkestruara të këngëve të Billie Eilish dhe Olivia Rodrigo, të ndërthurura me pak Saint-Saëns e Puccini.
Nga Imogen Tilden
Edhe sistemi i njoftimeve publike i Royal Albert Hall ishte në frymën e spektaklit:
“Tradhtarë dhe besnikë, kjo është paralajmërimi juaj pesë minutësh. Ju lutemi, zini vendet. Koncerti fillon për pesë minuta.”
Brenda sallës, referencat ndaj momenteve ikonike të emisionit televiziv shtuan intensitetin. Tre ekrane të mëdha shfaqnin montazhe nga seriali, ndërsa në qendër të arenës ndodhej tavolina e rrumbullakët, tashmë e njohur për publikun. Dymbëdhjetë valltarë të veshur herë me pelerina dhe maska të “tradhtarëve”, herë si personazhe groteske nga detyrat (kllounë të frikshëm si nga “It”, apo korba që çalojnë me kashtë nga një “Oz” i makthshëm) e përshkonin auditorin. Skena ishte mbushur me radhët e Orkestrës Simfonike të BBC-së nga Skocia, Korit Simfonik të BBC-së dhe BBC Singers, të drejtuar nga dirigjentja irlandeze Karen Ní Bhroin, në debutimin e saj të sigurt në Proms.
Zonja e ceremonisë në këtë “Prom” të parë të “The Traitors” ishte prezantuesja e dashur Claudia Winkleman – pa trikot dhe dorezat pa gishta (të pajustifikueshme në një pasdite të lagësht korriku), por me një xhaketë elegante kadifeje të zezë, me penel eyeliner dhe balluke në vend. Ajo hyri në skenë e shoqëruar nga një gajdexhi dhe një ndjenjë e fortë pritjeje.
I zjarrtë dhe me zë të kristaltë … Andrés Presno
Reality show – në thelb një lojë vrasjeje me sy brenda një kalaje të dekoruar bukur në Skocinë e lartë – është një nga sukseset më të mëdha të BBC-së vitet e fundit. Kolona zanore, e përbërë nga versione të errëta gotike të hiteve të njohura dhe herë pas here nga pjesë klasike (Beethoven, Mozart, Çajkovski – për sa kohë melodrama shkon në maksimum), është pjesë e pandarë e atmosferës së serialit.
“Me temat e tradhtisë, intrigës dhe mashtrimit, ‘The Traitors’ shkon për bukuri me muzikën klasike,” tha drejtori i Proms, Sam Jackson, gjatë hapjes së sezonit në prill. Por në fakt, përmbajtja klasike ishte e lehtë dhe e kujdesshme për të mos zgjatur shumë, ndërkohë që programin e dominonin versionet e orkestruara të këngëve si “Bad Guy” nga Billie Eilish, “Vampire” nga Olivia Rodrigo, “Believer” nga Imagine Dragons, si edhe tema kryesore e “The Traitors” nga Sam Watts.
BBCSSO dhe Ní Bhroin dëshmuan fleksibilitet të madh duke kaluar nga errësira e “Nothing Is As It Seems” e Hidden Citizens tek ngjyrat rrëmbyese të “Danse macabre” nga Saint-Saëns. Tenori Andrés Presno shkëlqeu me interpretim të zjarrtë dhe të qartë në arien prekëse të Cavaradossit “E lucevan le stelle” nga “Tosca” e Puccinit, ku soloja hyrëse me klarinetë ishte veçanërisht e bukur. Gjatë “Dance of the Clowns” nga baleti “Arrëthyesi” i Çajkovskit, tetë performues me paruke të çmendura dhe tuta lëviznin si të shokuar në pjesën ballore të skenës së Albert Hall.
Gjithçka me humor … Claudia Winkleman me ish-konkurrentet Minah dhe Linda
Këngëtaret Hayla dhe Andrea Lykke, që ndanë pjesët pop, kishin zëra të fuqishëm, por tekstet humbisnin në sallë dhe interpretimet e tyre ngjanin të shkëputura nga emocionet. Darrell Smith solli më shumë energji në “Believer” dhe në “Murder on the Dancefloor” të Sophie Ellis-Bextor, që mbylli shfaqjen me ritëm të lartë. Fatmirësisht, disa ish-konkurrentë ndihmuan për të ruajtur atmosferën lozonjare – Minah dhe Linda u ngjitën në skenë për një bisedë të shkurtër me Claudian, ndërsa Alexander, i njohur për këndimin mbrapsht (duhej të ishe aty), “u zbulua” mes radhëve të Korit Simfonik të BBC-së.
Finalja e koncertit përfundoi – siç pritej – me zbulimin e një “tradhtari”. Fituesi i sezonit 2, Harry Clark, ndodhej ulur pranë organos së Royal Albert Hall-it. “Unë jam tradhtari më i mirë në Proms,” bërtiti ai, duke e përsëritur britmën e fitores së tij dhe duke rrotulluar pelerinën.
Burimi: The Guardian/ Përgatiti: L.Veizi