Një hetim i CNN, i bazuar në të dhënat e publikuara nga Universiteti Cornell në SHBA, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucioni trajton rastet e sulmeve seksuale. Sipas të dhënave, nga mesi i vitit 2020 deri në mesin e vitit 2024, universiteti shqyrtoi 51 ankesa zyrtare për sulm seksual dhe i shpalli studentët përgjegjës në 16 raste. Megjithatë, vetëm dy studentë u përjashtuan përgjithmonë, ndërsa në raste të tjera u vendosën masa më të lehta, si shkrujtja e një esesje dhe detyra shtesë.
Çështja ka rikthyer debatin mbi përgjegjësinë e universiteteve për të mbrojtur studentët dhe për të garantuar që ankesat për dhunë seksuale të trajtohen në mënyrë të drejtë. Disa studente dhe ish-studente që folën për CNN thanë se përvoja e tyre me proceset e brendshme hetimore i kishte lënë të zhgënjyera dhe me ndjesinë se institucionet nuk i kishin marrë mjaftueshëm seriozisht.
Ish-studentja: U ndjeva e tradhtuar nga universiteti
Një nga personat që ndanë përvojën e tyre ishte Kacey Lee, ish-studente e Cornell, e cila tha se u ndie e tradhtuar nga universiteti pas përfundimit të hetimit për sulmin seksual që kishte raportuar. Në vitin 2023, studentja që u shpall përgjegjëse për rastin e saj u ndëshkua me një detyrë reflektimi personal dhe një qortim me shkrim, pa u pezulluar apo përjashtuar.
Lee tha se procesi i raportimit dhe hetimit kishte qenë psikologjikisht i vështirë dhe se rezultati e bëri të vinte në dyshim nëse ia kishte vlejtur të kalonte nëpër të gjitha ato procedura. Ajo u shpreh se, po ta kishte ditur paraprakisht se masa do të ishte kaq e kufizuar, mund të mos e kishte raportuar fare rastin.
Edhe studente të tjera që folën për CNN ngritën shqetësime për mënyrën se si ishin trajtuar ankesat e tyre. Disa pretenduan se zyra e universitetit përgjegjëse për hetimin e rasteve sipas Titullit IX kishte anashkaluar prova të rëndësishme, duke lejuar që studentët e akuzuar të shmangnin pasoja serioze.
Çfarë thotë universiteti?
Në përgjigje të kritikave, një zëdhënës i Cornell deklaroi se universiteti i merr jashtëzakonisht seriozisht akuzat për sjellje të pahijshme seksuale dhe se i heton ato sipas procedurave përkatëse, duke ofruar gjithashtu mbështetje për personat që paraqesin ankesa. Universiteti vuri në dukje edhe zgjerimin e programeve të drejtpërdrejta të trajnimit për parandalimin e sulmeve seksuale për studentët e vitit të parë.
Presidenti i Cornell, Michael Kotlikoff, pranoi se institucioni duhet të përmirësojë mënyrën se si trajton rastet e sjelljes së pahijshme seksuale. Në një video të publikuar javën e kaluar, ai tha se universiteti nuk i kishte të gjitha përgjigjet, por ishte i vendosur të hetonte çështjen dhe se administrata, së bashku me komunitetin universitar, kishte përgjegjësi për të bërë më shumë.
Pse universitetet hezitojnë të vendosin masa më të rënda
Peter Lake, profesor në Universitetin Stetson dhe specialist i së drejtës së arsimit të lartë, shpjegoi se universitetet përballen me sfida të ndërlikuara gjatë hetimeve të brendshme për sulme seksuale. Studentët e akuzuar mund të angazhojnë avokatë që në fazat e para të procesit dhe mund të ndërmarrin veprime ligjore nëse përjashtohen ose pezullohen për periudha të gjata.
Sipas Lake, institucionet duhet të menaxhojnë interesa që mund të bien ndesh me njëri-tjetrin, ndërsa vendosja e sanksioneve më të rënda mund të sjellë beteja ligjore. Megjithatë, kritikët argumentojnë se frika nga paditë nuk duhet të pengojë universitetet të marrin masa të përshtatshme kur studentët shpallen përgjegjës për sulme seksuale.
Një tjetër vështirësi është mungesa e transparencës. Universitetet zakonisht nuk publikojnë hollësi të plota mbi hetimet e zhvilluara sipas Titullit IX, ndaj është e vështirë të kuptohet se si janë marrë vendimet në secilin rast dhe çfarë masash janë vendosur.
Nicole Bedera, studiuese dhe autore që merret me dhunën seksuale mes studentëve, argumentoi se institucionet duhet të tregojnë qartë se sjellje të tilla nuk tolerohen. Sipas saj, mënyra se si një universitet reagon kur ndodh një sulm seksual është thelbësore për të kuptuar nëse ai po bën mjaftueshëm për të mbrojtur komunitetin e tij.
Rasti i Jane Doe dhe masat ndaj shtatë studentëve
Debati është intensifikuar edhe pas akuzave të një gruaje të identifikuar si Jane Doe, e cila pretendon se është përdhunuar në grup në një ndërtesë të një shoqate studentore. Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga The New York Times, nga shtatë burrat që ajo akuzoi për përfshirje në sulm, dy u përjashtuan përgjithmonë nga universiteti dhe dy të tjerë u pezulluan përkohësisht, si dhe u detyruan të ndiqnin një program të posaçëm edukimi.
Një student që ishte diplomuar tashmë u ndalua të hynte në kampus për tre vjet, ndërsa dy të tjerë u detyruan të kryenin detyra studimore dhe të shkruanin punime reflektimi. Njëri prej tyre u shpall përgjegjës për hyrjen në dhomën ku dyshohet se ndodhi sulmi, por jo për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në të.
Rasti ka vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm vendimet disiplinore të Cornell, por edhe pyetjen se si universitetet mund të sigurojnë procedura të drejta, llogaridhënie dhe mbrojtje efektive për studentët që raportojnë dhunë seksuale./k.m
