Flukset e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit kanë rënë ndjeshëm për shkak të përshkallëzimit të sulmeve ndaj anijeve dhe tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa çmimet e naftës mbeten në rritje në bilancin javor.
Nafta Brent zbriti me 0,67%, në 105,21 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ra me 0,79%, në 97,20 dollarë për fuçi, në tregtimin e së premtes. Megjithatë, Brent ishte në rritje me 0,44% për javën, ndërsa WTI kishte fituar 5,81%.
Sipas Reuters, vëllimi i naftës që kaloi përmes Ngushticës së Hormuzit arriti mesatarisht në 11,62 milionë fuçi në ditë gjatë shtatë ditëve deri më 13 tetor, sipas të dhënave të kompanisë së gjurmimit të anijeve Kpler. Kjo shifër është rreth 32% më e ulët se niveli bazë prej 17,15 milionë fuçish në ditë.
Sulmet ndaj anijeve në zonën e Hormuzit janë shtuar gjatë 10 ditëve të fundit. Irani ka deklaruar se po intensifikon goditjet në përgjigje të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe sanksioneve më të ashpra të vendosura muajin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane po shqyrton mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj disa anijeve të flotës së ashtuquajtur në hije, të përdorura për transportin e naftës dhe produkteve të saj nga vende si Rusia, Irani dhe Venezuela. Masa synon të ulë kostot e transportit detar, të cilat janë rritur për shkak të tensioneve dhe rreziqeve në rajon.
Tregu po ndjek gjithashtu masat për shtimin e furnizimit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka rënë dakord të përshpejtojë daljen në treg të më shumë se 20 milionë fuçive naftë dizel, si dhe të sasive të mbetura nga rezervat emergjente të shpallura në mars.
Megjithatë, pasiguria mbi furnizimet nga Lindja e Mesme vijon të ndikojë në tregtimin e naftës. Çmimet mbeten të ekspozuara ndaj zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm./ad
