Beti Njuma ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga pushteti përballë protestave dhe zemëratës popullore të ditëve të fundit.
Në një deklaratë të fortë, Njuma paralajmëron për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, duke iu referuar edhe ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe trazirave të vitit 1997. Ajo akuzon qeverisjen e Ramës për korrupsion dhe lidhje kriminale, ndërsa thekson se vendi nuk mund të mbahet peng i qëndrimit të një njeriu në pushtet.
“Edi Rama mund ta shkretojë vendin si në 97 dhe nuk e jep dorëheqjen”, shkruan Njuma, duke e cilësuar largimin e kryeministrit si një hap të domosdoshëm për të shmangur përplasjet mes policisë dhe të rinjve që po protestojnë.
Njuma u bën thirrje edhe figurave të Partisë Socialiste që të dalin publikisht dhe t’i kërkojnë Ramës dorëheqjen. Sipas saj, besnikëria ndaj kryetarit nuk duhet të vendoset mbi interesin e vendit dhe përgjegjësinë ndaj të rinjve.
“Besnikëria ndaj kryetarit nuk mund të qëndrojë mbi dashurinë për vendin dhe përgjegjësinë ndaj të rinjve që s’do ndalen më”, thekson ajo.
Në fund të reagimit, Njuma i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit me thirrjen për largim të menjëhershëm nga pushteti, duke paralajmëruar se historia do ta gjykojë rëndë nëse vijon të qëndrojë në detyrë.
“Edi Rama, jep dorëheqjen! Ik një orë e më parë!”, përfundon reagimin e saj Beti Njuma./ad
