Një koleksion i rrallë me objekte personale të mbretit të muzikës pop, Michael Jackson, do të dalë në ankand më 3 qershor pranë Parisit, duke tërhequr vëmendjen e fansave dhe koleksionistëve nga e gjithë bota.
Rreth 50 objekte ikonike, që përfshijnë kostume skenike, aksesorë, autografe dhe vizatime të realizuara nga vetë artisti, do të ofrohen për shitje në një nga ankandet më të rëndësishme të këtij lloji të mbajtur ndonjëherë në Evropë.
Ndër sendet më të veçanta spikat doreza e famshme e zbukuruar me kristale Swarovski, e përdorur gjatë interpretimit të këngës Billie Jean në turneun Bad Tour, e cila pritet të shitet për një vlerë nga 100 mijë deri në 150 mijë euro. Po ashtu, në ankand përfshihet edhe një kapelë nga turneu Victory Tour, si dhe kostume të lidhura me videoklipe ikonike si Scream.
Të gjitha objektet vijnë nga koleksioni i koleksionistit norvegjez Richard Fossaas, i cili i ka mbledhur ato ndër vite. Aktualisht, ato janë pjesë e një koleksioni privat të madh në Shtetet e Bashkuara.
Para ankandit, publiku do të ketë mundësinë t’i shohë nga afër këto relike në një ekspozitë të hapur në shtëpinë e ankandeve Aguttes në Neuilly-sur-Seine, në datat 30 maj, 1 dhe 2 qershor.
Interesi për jetën dhe trashëgiminë e Michael Jackson është rritur sërish, edhe falë publikimit të filmit biografik Michael, i cili pritet të dalë në kinematë botërore më 24 prill./mxh
