Last Updated on 27/06/2025 by adminfjala
Një ngjarje që mund të kishte marrë përmasa edhe më të rënda është parandaluar nga efektivët e Krimeve të Rënda në Shkodër. Bëhet fjalë për një konflikt për motive të dobëta në zonën e Thethit që ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Theth ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, efektivët e Shkodrës kanë organizuar punën me specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.
Në vijim të veprimeve për rastin: u arrestua shtetasi Alfred Rrupa, 33 vjeç, banues në fshatin Theth; nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. H., 29 vjeç, P. H., 27 vjeç dhe D. Rr., 29 vjeç, të tre banues në fshatin Theth.
Nga hetimet dyshohet se dje pasdite, për motive të dobëta, shtetasi Alfred Rrupa ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të automjetit me drejtues shtetasin N. H. dhe pasagjerë shtetasit P. H. dhe D. Rr. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet.
Më pas, këta 3 shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 33-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. m.p.