Last Updated on 05/03/2026 by EL
Ka marrë fund pas tetë orësh arratisja e hajdutit që “theu” mëngjesin e kësaj të enjte një “Exchange” në zonën e 5 Majit në Tiranë.
Burime për mediat bëjnë me dije se autori i kësaj ngjarje i identifikuar si Luan Maci, 41-vjeç ka rënë në prangat e policisë pasditen e sotme. Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji” ku ky shtetas grabiti një pikë këmbimi valutor.
Nën kërcënimin e armës 41-vjeçari arriti të merrte një shumë prej 1.2 milionësh lekësh dhe më pas u largua me shpejtësi.
Ndonëse reagimi i bluve ishte i shpejtë, autori arriti që të largohej, mirëpo kjo arratisje e tij nuk ka zgjatur dhe për shumë.
“Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth”, njoftoi Policia më herët./et
