Jim Carrey i ka dhënë fund spekulimeve që pushtuan internetin pas paraqitjes së tij në edicionin e 51-të të Çmimeve César në Paris, ku u nderua me një çmim për karrierën.
Pamja e aktorit 64-vjeçar në tapetin e kuq u bë menjëherë temë diskutimi në rrjetet sociale. Disa përdorues aluduan për ndërhyrje estetike, ndërsa të tjerë shkuan edhe më tej, duke përhapur teori absurde se ai ishte “zëvendësuar” nga një klon.
Për të qetësuar zërat, përfaqësuesi i Carrey konfirmoi për Daily Mail se aktori ishte vetë i pranishëm në ceremoni, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim konspirativ.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i Çmimeve César, i cili e cilësoi praninë e Carrey si plotësisht autentike dhe një moment të veçantë për eventin. Ai theksoi se vizita e aktorit ishte planifikuar prej muajsh dhe se Carrey kishte kaluar rreth tetë muaj duke përgatitur fjalimin e tij në gjuhën frënge.
Me këtë reagim, aktori i dha fund teorive që qarkulluan online, duke e kthyer vëmendjen te nderimi për kontributin e tij në kinematografi./MXH
