Platforma e njohur e videove të shkurtra është akuzuar zyrtarisht nga Komisioni Europian për shkelje të rregullave të BE-së mbi përmbajtjen online, për shkak të asaj që rregullatorët e quajnë dizajn tepër i varësishëm për përdoruesit.
Hetimi, i cili ka zgjatur rreth një vit dhe është zhvilluar në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), përqendrohet te funksione si scroll-i i pafund, autoplay, njoftimet shtytëse dhe algoritmi shumë i personalizuar i rekomandimit, që sipas Komisionit nxisin përdorim kompulsiv të aplikacionit.
Sipas autoriteteve europiane, TikTok nuk ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin që këto veçori mund të kenë në shëndetin mendor dhe fizik të përdoruesve, veçanërisht te fëmijët dhe grupet vulnerabël. Rregullatori thekson se platforma ka neglizhuar tregues të rëndësishëm të varësisë, si koha që të miturit kalojnë në aplikacion gjatë natës dhe sa shpesh e hapin atë.
Komisioni Europian akuzon gjithashtu TikTok se nuk ka zbatuar masa të arsyeshme dhe efektive për të kufizuar rreziqet, përfshirë menaxhimin e kohës së ekranit dhe kontrollet prindërore, duke kërkuar ndryshime në vetë dizajnin bazë të aplikacionit.
Nga ana e saj, TikTok ka kundërshtuar akuzat, duke mbrojtur algoritmin e saj, i cili ka qenë kyç në suksesin global të platformës.
Nëse shkeljet konfirmohen, kompania rrezikon gjobë deri në 6% të xhiros globale të pronarit të saj, ByteDance. TikTok ka të drejtë të shqyrtojë dokumentet e Komisionit dhe të paraqesë një përgjigje me shkrim përpara marrjes së vendimit përfundimtar.
Ky veprim është pjesë e një goditjeje më të gjerë të Bashkimit Europian ndaj gjigantëve të teknologjisë, e cila ka shkaktuar kritika nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë akuza për censurë dhe kërcënime për masa tregtare.
Ndërkohë, edhe Meta, me Facebook dhe Instagram, është akuzuar më herët për shkelje të DSA-së për përdorimin e të ashtuquajturave “dark patterns”, ndërsa kompani si Snapchat, YouTube, Apple dhe Google janë vënë nën lupë për sistemet e verifikimit të moshës dhe mbrojtjen e të miturve online./mxh
