Një raport parlamentar i publikuar këtë javë rekomandon masa të gjera kufizuese, përfshirë verifikimin e moshës, filtrimin e përmbajtjes dhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët, duke e rreshtuar Ankaranë mes vendeve që po ashpërsojnë kontrollin mbi platformat digjitale.
Partia në pushtet, AKP e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, pritet të paraqesë së shpejti një projektligj, ndërsa ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktas, ka deklaruar se nisma do të përfshijë ndalim të rrjeteve sociale për të miturit dhe detyrimin e platformave për të ndërtuar sisteme filtrimi të përmbajtjes.
Raporti i komisionit parlamentar parashikon gjithashtu heqjen e përmbajtjeve pa paralajmërim, monitorimin e lodrave dhe videolojërave me inteligjencë artificiale, si dhe kufizime të internetit gjatë natës për pajisjet që përdoren nga të miturit.
Sipas rekomandimeve, fëmijët nën 16 vjeç do të ndalohen nga rrjetet sociale, ndërsa deri në moshën 18 vjeç do të zbatohet filtrim i detyrueshëm i përmbajtjes.
“Duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë nga degradimi moral dhe nga të gjitha format e varësisë, përfshirë edhe atë digjitale,” deklaroi për Reuters deputeti i AKP-së, Harun Mertoglu.
Shqetësimi ndahet edhe nga shumë prindër. Një shitëse në Stamboll thotë se djali i saj 10-vjeçar kalon orë të tëra në rrjetet sociale dhe videolojëra, duke paralajmëruar për përmbajtje të dëmshme që ndikojnë tek fëmijët.
Nisma e Turqisë vjen në një moment kur shumë vende po ndjekin të njëjtën rrugë. Australia u bë vendi i parë në botë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa Spanja, Greqia dhe Sllovenia po shqyrtojnë masa të ngjashme. Edhe Franca, Britania dhe Gjermania janë duke diskutuar kufizime për të miturit.
Nga ana tjetër, kompanitë e rrjeteve sociale paralajmërojnë se ndalimet mund të dështojnë për shkak të teknologjive të dobëta të verifikimit të moshës dhe rrezikojnë t’i shtyjnë fëmijët drejt platformave të pakontrolluara.
Turqia ka tashmë një nga regjimet më të rrepta të kontrollit digjital. Sipas organizatës IFOD, deri në fund të vitit 2024 janë bllokuar mbi 1.2 milion faqe dhe postime online. Platforma si Roblox, Discord dhe Wattpad janë të ndaluara, ndërsa Wikipedia ka qenë e bllokuar për rreth tre vjet.
Nëse ligji miratohet, Turqia pritet të shënojë një tjetër hap të fortë në betejën mes mbrojtjes së fëmijëve dhe lirisë në internet./mxh
