Last Updated on 27/03/2026 by Anisa
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe respekt, Tinka Kurti u shfaq në Kalaja e Prezës, duke festuar një nga momentet më domethënëse të jetës së saj artistike. Me hapa të ngadaltë, por me buzëqeshjen që nuk iu nda asnjë çast, artistja e madhe, tashmë në prag të 94-vjetorit, përjetoi një vlerësim të rrallë.
E nderuar prej vitesh me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, ajo preku me duar çdo fotografi që rrëfente rrugëtimin e saj në art dhe eci mbi kalldrëmet e restauruara të shtegut që tashmë mban emrin e saj: “Shtegu Tinka Kurti”. Një simbolikë e fortë për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj skenës dhe publikut.
Ceremonia e përurimit u organizua nga Bashkia e Vorës, në bashkëpunim me Albanian Excellence, e drejtuar nga Flora Nikolla, si dhe me mbështetjen e institucionit ku aktorja po qëndron aktualisht.
Në këtë aktivitet morën pjesë shumë figura të njohura të artit dhe jetës publike shqiptare, mes tyre Zyliha Miloti, Rita Gjeka, Zamira Kita, e cila njëkohësisht moderoi ceremoninë, si dhe personalitete të tjera si Namik Dokle, Neritan Ceka, Marjeta Larja, Silvana Braçe dhe Irena Toçi.
Mes urimeve dhe fjalëve të përzemërta, Tinka Kurti nuk i fshehu emocionet, duke falënderuar të gjithë të pranishmit dhe organizatorët për këtë vlerësim të veçantë:
“Ju më bëtë të lumtur, ju faleminderit shumë. Më keni dhënë gjithçka të mirë, përkujdesjen, dashurinë dhe gjithë mirësitë. Faleminderit të gjithëve”, u shpreh ajo.
Ky moment shënon jo vetëm një nderim publik për figurën e saj, por edhe një kujtesë të gjallë të kontributit të jashtëzakonshëm që Tinka Kurti ka dhënë në artin dhe kulturën shqiptare, një rrugëtim i shoqëruar me sfida personale, por edhe me duartrokitjet e një publiku që nuk e ka harruar kurrë./A.D
