Last Updated on 15/10/2026 by Anisa
Nga protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit te sulmet ndaj institucioneve shtetërore, zjarret në biznese dhe përplasjet deri në orët e vona të mbrëmjes. Kryeqyteti u përfshi nga një valë incidentesh që shkaktoi dëme të shumta në pronën publike e private, ndërsa dhjetëra persona u shoqëruan nga policia.
Tirana përjetoi një nga ditët më të tensionuara të protestave të fundit, të mërkurën, më 14 tetor. Ajo që nisi në orët e paradites me bojkotin e mësimit nga studentët dhe protestën para Ministrisë së Arsimit, u përshkallëzua gjatë ditës në përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve, djegie biznesesh dhe bllokime të akseve kryesore të kryeqytetit.
Në fund të ditës, bilanci i raportuar ishte i rëndë: 51 punonjës policie, pesë protestues dhe një kalimtar të lënduar. Dhjetëra persona u shoqëruan nga policia, ndërsa dëme të konsiderueshme u regjistruan në ministri, banka, biznese private, automjete dhe elemente të infrastrukturës publike.
Ngjarjet u shtrinë nga zona e Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit, sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te Kryeministria, Piramida, Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese dhe zona e “21 Dhjetorit”. Zjarre dhe dëmtime u raportuan edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa u sulmua edhe Komisariati nr. 2 i Policisë.
Studentët në rrugë, protesta nis para Ministrisë së Arsimit
Që në orët e para të mëngjesit, studentë nga disa fakultete të Tiranës bojkotuan mësimin dhe u mblodhën para Ministrisë së Arsimit. Ata kërkuan përmirësimin e kushteve në universitete, pajisjen e fakulteteve me laboratorë, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
Një pjesë e studentëve kërkoi gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe drejtësi për personat e përfshirë në ngjarjet e një dite më parë, kur ishin regjistruar përplasje me policinë.
Protestës iu bashkuan studentë nga Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti Ekonomik. Bojkoti u shtri edhe jashtë kryeqytetit. Studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ndërprenë mësimin, ndërsa studentë të Universitetit të Vlorës shprehën mbështetje për kërkesat e bashkëmoshatarëve të tyre.
Gjatë paradites u raportua edhe për bojkot nga nxënës të gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të cilët bllokuan përkohësisht një rrugë dhe dogjën kosha mbeturinash.
Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm rreth orës 11:00, kur përplasjet nisën të intensifikoheshin pranë Ministrisë së Arsimit.
Sulmi ndaj Ministrisë së Arsimit, xhama të thyer dhe zjarr në godina
Disa protestues me fytyra të mbuluara shkulën kangjella metalike dhe pllaka trotuari, të cilat më pas i përdorën për të goditur godinën dhe efektivët e policisë.
Rreth orës 11:57, një grup protestuesish hyri me forcë në ambientet e Ministrisë së Arsimit. Gjatë sulmit u thyen xhamat dhe u dëmtuan pjesë të ndërtesës, ndërsa më pas u raportua për zjarr në disa zyra në katin e parë.
Policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Por përplasjet nuk u ndalën. Në drejtim të godinës dhe efektivëve u hodhën gurë, fishekzjarrë dhe bomba molotov, ndërsa në rrugët përreth u ngritën barrikada me stola, kosha mbeturinash dhe kangjella.
Gjatë këtyre zhvillimeve pati edhe përplasje verbale me përfaqësues të opozitës që ndodheshin në zonë. Deputeti demokrat Edi Paloka u kundërshtua nga një grup protestuesish, të cilët i kërkuan të largohej dhe hodhën ujë e shishe në drejtim të tij. Në disa momente, pakënaqësia e protestuesve u shpreh edhe me thirrje kundër përfaqësuesve të opozitës.
Iute Credit merr flakë, zjarri rrezikon ndërtesat përreth
Incidentet u zgjeruan edhe në bizneset private pranë Ministrisë së Arsimit dhe në hyrje të Rrugës së Durrësit.
Një bankë e nivelit të dytë u sulmua dhe iu thyen xhamat, ndërsa u raportua për zjarr në ambientet e saj. Dëmtime pësuan edhe biznese të tjera të zonës.
Një prej episodeve më shqetësuese ishte sulmi ndaj filialit të institucionit financiar Iute Credit, i cili ishte dëmtuar edhe gjatë protestës së një dite më parë. Këtë herë, godinës iu vu flaka.
Zjarri shkaktoi shqetësim te banorët e pallatit ngjitur, disa prej të cilëve dolën nga banesat për shkak të rrezikut. Prania e ndërtesave të tjera dhe e përfaqësisë së Vatikanit në afërsi e bëri situatën edhe më delikate, për shkak të mundësisë së përhapjes së flakëve.
Zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e zjarrit, ndërsa incidentet vijuan me dëmtime të tabelave reklamuese, kamerave të sigurisë, ndriçuesve rrugorë dhe koshave të mbeturinave.
Qendra e Tiranës mbulohet nga tymi, digjen barrikadat
Gjatë pasdites, përplasjet u zhvendosën në Rrugën e Durrësit dhe drejt sheshit “Skënderbej”. Protestuesit vendosën në mes të rrugëve stola plastikë, kangjella dhe kosha mbeturinash, disa prej të cilëve u dogjën.
Rreth orës 16:20, zjarri pranë kryqëzimit të Rrugës së Durrësit me sheshin “Skënderbej” kishte marrë përmasa të konsiderueshme. Flakët rrezikuan edhe pemët pranë hyrjes së sheshit, ndërsa tymi i zi u përhap në zonën përreth.
Policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit vijuan të hidhnin gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të efektivëve. Gjatë përplasjeve u dëmtuan edhe autobotë të policisë.
Në të njëjtën kohë, në segmente të Unazës u dogjën kosha mbeturinash dhe u vendosën sende të ndryshme në rrugë, duke bllokuar qarkullimin. Dëmtime u raportuan edhe në stendat reklamuese pranë Lanës.
Ministritë e Ekonomisë dhe Financave sulmohen, protestuesit hyjnë në godina
Rreth orës 16:40, protestuesit u drejtuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhen disa prej institucioneve kryesore të vendit.
Ministria e Ekonomisë u bë një nga objektivat e radhës. Protestuesit thyen xhamat dhe hynë në ambientet e institucionit, nga ku nxorën mobilie dhe sende të tjera. Në pamjet e publikuara u shfaqën dyer të dëmtuara, orendi të përmbysura dhe xhama të thyer. Gjatë incidenteve u raportua edhe për zjarr në godinë.
Më pas, sulmi u shtri edhe te Ministria e Financave. Protestuesit goditën ndërtesën me gurë dhe fishekzjarrë, thyen xhamat e kamerat e sigurisë dhe tentuan të dëmtonin hyrjet e saj. Edhe në këtë institucion u raportua për dëmtime të shumta dhe zjarr.
Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën, ndërsa vijoi shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune.
Kryeministria dhe Piramida, molotovë, biznese të djegura dhe plaçkitje
Pas sulmeve ndaj ministrive, protestuesit u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku u hodhën gurë dhe bomba molotov. Policia përdori autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të larguar turmën nga godina.
Një pjesë e protestuesve vijoi më pas drejt Piramidës së Tiranës, ku incidentet prekën bizneset e vendosura në godinat në formë kubi përreth saj.
U thyen xhama, u shkatërruan tavolina, karrige dhe vazo me lule, ndërsa në disa ambiente u raportua për zjarr. Në një prej bizneseve të sulmuara, protestuesit morën pije, ushqime dhe produkte të tjera, përpara se ambientit t’i vihej flaka.
Dëmtime pësoi edhe një kafe-librari, si dhe një biznes i një operatori telefonik. Në zonë u sulmuan gjithashtu banka të nivelit të dytë, ku u raportua për xhama të thyer dhe dëmtime të rënda. Në njërën prej tyre pati zjarr.
Flakët përfshinë edhe një motor privat dhe një pemë. Ndërkohë, disa protestues u ngjitën në shkallët dhe pjesët e sipërme të Piramidës, ku ndezën flakadanë.
Në një tjetër episod, një automjet privat u godit vazhdimisht me gurë dhe sende të forta, deri në shkatërrimin e tij.
Sulmohen Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese dhe Banka e Shqipërisë
Përshkallëzimi vijoi edhe ndaj institucioneve të tjera shtetërore. Kryesia e Kuvendit u sulmua me gurë, duke shkaktuar thyerjen e xhamave dhe dëmtime në hyrjet e godinës.
Disa protestues përdorën kangjella dhe tabela rrugore të shkulura për të goditur dyert e institucionit, ndërsa u raportua edhe për zjarr në ambientet e tij. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën.
Edhe Gjykata Kushtetuese u përball me sulme. Protestuesit thyen xhamat e godinës, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të larguar personat e përfshirë në incidente.
Në vijim, u dëmtua edhe Banka e Shqipërisë. Në godinën e saj u thyen xhama dhe u dëmtua kabina e rojes, ndërsa protestuesit përdorën kangjella të shkulura nga rruga për të goditur ambientet e institucionit.
Gjatë kësaj faze, përplasjet me policinë vijuan në disa pika të qendrës së Tiranës.
Mes pamjeve të rënda të ditës u regjistrua edhe një moment kur një efektiv policie mori në krahë një fëmijë të vogël dhe vrapoi për ta larguar nga zona ku po përdorej gaz lotsjellës.
Ministria e Drejtësisë në flakë, sulmohet Komisariati nr. 2
Në orët e mbrëmjes, incidentet u zhvendosën drejt Bulevardit “Zogu i Parë”, ku u sulmua Ministria e Drejtësisë. Në godinë u thyen xhamat dhe u raportua për zjarr.
Dëmtime u regjistruan edhe në Drejtorinë e Arkivave, ndërsa protestuesit përdorën kangjella dhe sende të tjera për të bllokuar rrugët. Situata solli përplasje edhe me drejtuesit e mjeteve që kërkonin të kalonin në akset e bllokuara.
Një tjetër vatër e tensionit u krijua në zonën e “21 Dhjetorit”, ku protestuesit sulmuan Komisariatin nr. 2 të Policisë.
Dhjetëra persona kaluan kangjellat rrethuese, hynë në oborrin e komisariatit dhe dëmtuan ambientet. Gjatë sulmit, një automjet policie u dogj plotësisht, ndërsa u regjistruan përplasje të tjera me efektivët.
Në zona të ndryshme të kryeqytetit vijuan djegiet e koshave të mbeturinave, vendosja e barrikadave dhe bllokimi i qarkullimit. Në Zogun e Zi, drejtuesit e mjeteve përdorën boritë për të kërkuar lirimin e rrugës.
Sulmohet qendra tregtare Toptani, digjen automjete dhe mjete të Bashkisë
Gjatë mbrëmjes, dëmtimet u shtrinë edhe në qendrën tregtare Toptani, ku u thyen xhamat e fasadës. Policia ndërhyri për të ndaluar incidentet dhe u raportua për persona të shoqëruar.
Në zona të tjera u dëmtuan bankomate, kioska dhe biznese të vogla, ndërsa në disa raste u morën produkte nga ambientet e sulmuara. Një automjet privat u dogj në hyrje të Rrugës së Durrësit, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve.
Dëme u regjistruan gjithashtu në semaforë, kamera sigurie, sinjalistikë rrugore, ndriçues dhe stenda reklamuese. Dy automjete të Bashkisë së Tiranës, të përdorura për pastrimin e rrugëve, u gjetën të djegura.
Objektet e shkulura dhe mbetjet e zjarreve mbetën në disa segmente rrugore, duke vështirësuar qarkullimin dhe lëvizjen e qytetarëve.
51 efektivë policie të lënduar, pesë protestues dhe një kalimtar marrin ndihmë mjekësore
Bilanci i të lënduarve u rëndua gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Sipas të dhënave të raportuara, 51 punonjës policie, pesë protestues dhe një kalimtar mbetën të lënduar gjatë zhvillimeve të ditës.
Të lënduarit u dërguan për trajtim në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vizitoi efektivët e lënduar në Spitalin e Traumës. Në një prej përditësimeve u bë e ditur se në urgjencë ndodheshin nëntë efektivë policie. Njëri prej tyre, 31 vjeç, kishte dëmtime serioze në sy dhe fraktura në nofull e hundë.
Më vonë, ministri i Brendshëm Ervin Demo njoftoi se numri i efektivëve të lënduar kishte arritur në 51. Ai dënoi dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar, por nuk përfshin sulmet ndaj efektivëve apo rrezikimin e jetës së njerëzve.
Dhjetëra të shoqëruar, policia vijon ndërhyrjet deri në orët e vona
Përgjatë ditës, policia shoqëroi persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune dhe dëmtim të pronës. Në një përditësim të orës 20:51, u raportua për 35 persona të shoqëruar, ndërsa më vonë pati njoftime për shoqërime të tjera në zona të ndryshme të Tiranës.
Në zonën e “21 Dhjetorit”, policia ndaloi edhe një taksi dhe shoqëroi tre pasagjerët e saj. Në një rast tjetër, dy persona u ndaluan pasi u gjetën me një karrocë të mbushur me pije dhe produkte ushqimore, të cilat dyshohej se ishin marrë nga një kioskë e sulmuar gjatë protestës. Ata pretenduan se i kishin gjetur produktet në tokë.
Incidentet prekën edhe gazetarët që po raportonin nga terreni. Gjatë përplasjeve, gazetarët u goditën me gurë, ndërsa në disa momente persona të maskuar krijuan barriera mes tyre dhe mediave.
Përdorimi i gazit lotsjellës shkaktoi shqetësime edhe te qytetarët dhe turistët që ndodheshin në bare, ambiente publike dhe rrugët përreth. Disa prej tyre patën nevojë për ndihmë, ndërsa policia vijoi ndërhyrjet në zonat ku situata mbetej e tensionuar.
Tirana në fund të ditës: dëme të shumta dhe një kryeqytet i përfshirë nga kaosi
Rreth orës 21:00, situata mbetej e tensionuar në zonën e “21 Dhjetorit”, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe shoqëroi persona të përfshirë në incidente. Në terren ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet.
Rreth orës 21:37, një pjesë e protestuesve u rikthye pranë Kryeministrisë, ku u raportua për shoqërime të tjera.
Në orën 22:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kishin mbetur gurë, copa xhamash, kosha mbeturinash dhe stola të zhvendosur nga vendi. Grumbullimet e mëdha ishin shpërndarë, por policia vijonte të qëndronte në gatishmëri.
Nga protesta studentore e nisur në mëngjes, dita përfundoi me dëme të shumta në institucione shtetërore, banka, biznese private dhe automjete, si dhe me dhjetëra persona të shoqëruar e dhjetëra të lënduar.
Bilanci i 14 tetorit la pas një kryeqytet me godina të dëmtuara, rrugë të përfshira nga zjarret dhe qytetarë të përballur me pasojat e një dite të gjatë përplasjesh.
Ndërsa kërkesat e studentëve për kushte më të mira në universitete dhe përgjegjësi për ngjarjet e mëparshme shënuan nisjen e protestës, përshkallëzimi i mëvonshëm e zhvendosi vëmendjen edhe te dhuna, dëmtimi i pronës publike e private dhe pasojat për qytetarët e Tiranës./ad
