Policia e Tiranës ka bërë me dije se ka gjetur dhe sekuestruar thikën që Filip Shehu, picier vrau një ditë më parë kuzhinierin në një lokal te Komuna Parisit.
41-vjeçari i arrestuar ishte i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ngjarja e rëndë erdhi pas një konflikti mes picierit Filip Shehu dhe kuzhinierit Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ndërroi jetë për shkak plagëve të marra nga goditjet me thikë. Sipas pretendimeve të autorit viktima e bullizonte dhe konfliket mes të dyve kishin nisur prej kohësh.
Njoftimi i plotë
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
