Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur nga një sulm i dytë ndaj Aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit saudit, Riadit, bëjnë të ditur zyrtarët.
Një zëdhënës ushtarak saudit deklaroi se një predhë goditi të dielën aeroportin ndërkombëtar “King Khalid”, duke shkaktuar zjarr në një nga terminalet e pasagjerëve. Autoriteti saudit i Aviacionit Civil njoftoi përmes një deklarate në rrjetin social X se viktima ishte një shtetas pakistanez, rezident në Arabinë Saudite.
Sulmi vjen një ditë pasi një tjetër goditje ndaj të njëjtit aeroport shkaktoi 13 viktima dhe 308 të plagosur, pas sulmeve të ngjashme të kryera në fillim të kësaj jave.
Rebelët Houthi në Jemen kanë marrë përgjegjësinë për sulmet, duke paralajmëruar kompanitë ajrore dhe pasagjerët që të mos përdorin aeroportet dhe hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.
Grupi deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit kishte shënjestruar aeroportin me një kombinim raketash balistike, raketash kruz dhe dronësh.
Sipas zëdhënësit ushtarak të Houthive, gjeneral brigade Yahya Saree, ata kanë sulmuar gjithashtu objektet e naftës dhe aeroportin e Dammamit, në lindje të Arabisë Saudite.
Saree u zotua se do të vijojnë “operacionet në përshkallëzim, thellë brenda territorit të Arabisë Saudite”, duke paralajmëruar se të gjitha aeroportet saudite mund të jenë objektiva të mundshme, me përjashtim të atyre në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.
Houthit kanë deklaruar se po shënjestrojnë Arabinë Saudite për shkak të mbështetjes që ajo u jep forcave qeveritare në luftën civile në Jemen, si dhe për shkak të një sulmi ajror ndaj aeroportit të Sanaas.
