Mijëra vizitorë mbushën parkun Ueno dhe zona të tjera të qytetit për të admiruar lulëzimin e famshëm të pemëve të qershive, që ka nisur pas disa ditëve me shi.
Sezoni i qershive, i njohur në Japoni si “Hanami” që do të thotë “shikimi i luleve”, është një traditë që tërheq turma të mëdha në pikat më të njohura të qytetit. Nën pemët e mbushura me lule rozë dhe të bardha, banorët e Tokyo-s dhe turistët shijojnë piknik, ushqim dhe birrë, duke kaluar momente argëtuese me familjen dhe miqtë.
Naoto Ogino, 39 vjeç, tha për TV Klan se ky është një ritual që ai e mban çdo vit me kolegët e tij. Ndërkohë, turistë si Chang Yutang kanë ardhur nga vende të tjera për të admiruar pamjen spektakolare. “Kemi dëgjuar se qershitë japoneze janë të pabesueshme, ndaj bëmë një udhëtim special për t’i parë. Janë vërtet mahnitëse,” tha ai, i veshur me kimono japoneze për këtë rast.
Agjencia Meteorologjike Japoneze shpalli zyrtarisht fillimin e sezonit të “sakura” më 19 mars, pesë ditë më herët se viti i kaluar. Mesatarisht, pemët e qershive fillojnë të lulëzojnë më 24 mars sipas të dhënave të mbledhura midis viteve 1991 dhe 2020.
Sezoni i Hanami është një nga momentet më të bukura të pranverës në Japoni, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj, dhe duke rikujtuar për traditat e pastra dhe ngjyrat e mrekullueshme të natyrës./mxh
