Vetëm pak ditë përpara sfidës historike ndaj Anglisë në çerekfinalet e Kupës së Botës, kombëtarja e Norvegjisë po përballet me probleme shëndetësore që kanë ndikuar në përgatitjet e ekipit.
Trajneri Ståle Solbakken konfirmoi se disa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit janë prekur nga një virozë, e cila ka shkaktuar simptoma si kollë, vështirësi në frymëmarrje, ngjirje zëri dhe lodhje të përgjithshme. Vetë tekniku u shfaq duke kollitur gjatë konferencës së fundit për shtyp.
Sipas Solbakken, vetëm Jørgen ka shfaqur temperaturë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit po përballet me simptoma më të lehta. Edhe përpara ndeshjes ndaj Brazilit disa futbollistë nuk ishin në gjendjen më të mirë fizike, por situata është përhapur më tej ditët e fundit.
Pavarësisht shqetësimit, trajneri siguroi se gjendja mbetet nën kontrollin e stafit mjekësor dhe e lidhi përhapjen e virozës me lodhjen nga udhëtimet e shumta, fluturimet dhe ndryshimet e vazhdueshme të ambienteve.
“Vetëm Jørgen pati temperaturë. Të tjerët kanë pasur kollë dhe ngjirje zëri. Me kondicionerët, fluturimet dhe faktin që jemi më shumë se 50 persona së bashku, do të ishte e pazakontë që askush të mos sëmurej”, u shpreh Solbakken.
Norvegjia do të kërkojë të rikuperojë sa më shpejt lojtarët e prekur, ndërsa përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e futbollit të saj./mxh
