Tom Holland duket se do ta shndërrojë suksesin e fundit të “Spider-Man: Brand New Day” në një nga fitimet më të mëdha të karrierës së tij. Aktori britanik pritet të përfitojë më shumë se 100 milionë dollarë, falë marrëveshjes së tij që lidhet me performancën e filmit në kinema.
Holland ka marrë fillimisht një pagesë prej 20 milionë dollarësh për rikthimin në rolin e Peter Parker, por kjo shifër mund të rritet ndjeshëm përmes bonuseve të lidhura me të ardhurat e filmit.
Sipas “The Wrap”, filmi ka regjistruar rreth 2 miliardë dollarë të ardhura globale që prej premierës më 31 korrik. Një burim pranë industrisë ka bërë të ditur se nuk ekziston një tavan i përcaktuar për shumën që Holland mund të përfitojë nga ky sukses.
Kjo shifër tregon edhe sa shumë është rritur vlera e aktorit në universin Marvel. Kur debutoi si Spider-Man në “Captain America: Civil War” në vitin 2016, Holland u pagua vetëm 250 mijë dollarë. Një vit më vonë, për “Spider-Man: Homecoming”, pagesa e tij arriti në rreth 500 mijë dollarë.
Me kalimin e viteve, kontratat e tij u bënë gjithnjë e më fitimprurëse. Për “Spider-Man: Far From Home” ai fitoi rreth 4 milionë dollarë, ndërsa për “Spider-Man: No Way Home” rreth 10 milionë dollarë, pa llogaritur bonuset dhe përfitimet e tjera.
Marrëveshja e tij e parë me Sony përfshinte gjashtë filma, mes tyre edhe dy produksionet e “Avengers”, “Infinity War” dhe “Endgame”.
Rritja spektakolare e të ardhurave të Holland ka bërë që një drejtues i industrisë ta cilësojë atë si “Robert Downey Jr. i ri”, duke e krahasuar me mënyrën se si aktori i Iron Man ndërtoi gradualisht një nga marrëveshjet më fitimprurëse në historinë e Marvel.
Downey Jr. nisi me një pagesë prej rreth 500 mijë dollarësh për “Iron Man” në vitin 2008, ndërsa disa vite më vonë të ardhurat e tij nga filmat e Marvel arritën në dhjetëra miliona dollarë, duke kaluar edhe 100 milionë dollarë për disa nga paraqitjet e tij në universin “Avengers”./mxh
