Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku shprehet se situata në burgje është alarmante. Topalli shkruan se mbi 150 të burgosur kanë humbur jetën në qeli dhe kjo sipas saj nuk duhet të kalohet si një lajm i zakonshëm.
Ajo ka shprehur kritika për qeverisjen ku shkruan se në Shqipëri pakica pasurohet me pushtetin, ndërsa shumica jeton në varfëri.
Deputetja thotë më tej se ndërsa harxhohen miliona për një koncert njëditor, 44.5% e familjeve me fëmijë dhe 37% e familjeve pa fëmijë janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Postimi i plotë:
Dhe ndërkohë… mbi 150 të burgosur kanë humbur jetën në qeli.
Në një vend normal, kjo do të ishte alarm kombëtar. Këtu kalon si lajm i zakonshëm.
Sepse ky nuk është më shtet. Ky është një cirk i milionerëve, ku pakica pasurohet në errësirë, dhe shumica jeton në pasiguri dhe frikë.
Ky është modeli që keni ndërtuar: një Shqipëri ku pakica pasurohet me pushtetin, ndërsa shumica jeton me frikë, pasiguri dhe varfëri.
Ky është modeli që i keni imponuar Shqipërisë: propagandë në ekran, varfëri në familje, frikë në institucione dhe pandëshkueshmëri për pushtetin.
Miliona për një stadium njëditor, për një koncert të Kanye West.
Një natë muzikë. Një vit propagandë.
Ndërkohë, sipas Eurostat, 44.5% e familjeve me fëmijë dhe 37% e familjeve pa fëmijë janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Pra, ndërsa gjysma e familjeve numëron lekët për bukën e muajit, shteti numëron reflektorët për një natë.
Kjo nuk është më ironi. Është cinizëm i organizuar./mxh
