Elbasan – Pas disa javësh hetimesh intensive, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Jug & Veri”, duke goditur një grup kriminal që dyshohet se transportonte dhe shiste sasi të konsiderueshme lëndë narkotike dhe armë në disa qytete të vendit, nga veriu në jug.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i ndërhyrjes në unazën e qytetit të Elbasanit, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga tre persona, të dyshuar për trafikim lëndësh narkotike dhe armësh:
A. G., 31 vjeç
E. Q., 29 vjeç
F. P., 35 vjeç
Gjithashtu, pas veprimeve hetimore të mëtejshme, u ndalua edhe shtetasi M. M., 31 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se kishte vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e lëndës narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se ky grup kriminal siguronin dhe transportonin sasi të konsiderueshme Cannabis Sativa, me qëllim shpërndarjen dhe shitjen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe trafikimin e saj jashtë territorit të vendit.
Gjatë ndërhyrjes, drejtuesi i automjetit A. G. ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, ka dëmtuar mjetin e shërbimit. Nga kontrolli në automjetin e tij dhe pasagjerin E. Q., u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip kallashnikov me 32 fishekë luftarakë, e cila dyshohet se do të trafikohej.
Ndërkohë, në automjetin tip “Volkswagen Golf”, me drejtues F. P., u gjetën dhe u sekuestruan 41 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se do të transportohej drejt Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë.
Si prova materiale, specialistët sekuestruan gjithsej:
41 kg Cannabis Sativa
1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak
2 automjete
2 aparate celularë
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”./kb
