Pesë persona janë arrestuar në Francë gjatë një operacioni për të shkatërruar një rrjet trafikimi droge që përdorte dronë për të dërguar lëndë narkotike në burgun Villefranche-sur-Saône, njoftoi policia franceze.
Mes pesë të dyshuarve është edhe një i mitur, i cili do të dalë në gjyq në shtator. Ai është transferuar në një qendër edukative të mbyllur, ku do të qëndrojë në pritje të gjyqit.
Katër të rriturit do të dalin në gjyq në tetor, ndërsa tre prej tyre janë lënë në paraburgim. Tre nga pesë të dyshuarit u arrestuan në flagrancë.
Sipas autoriteteve, organizata ishte “shumë e strukturuar” dhe vepronte nga “dy zona nisjeje” të vendosura shumë pranë burgut.
Dërgesat kryheshin gjatë natës me dronë pa drita, në mënyrë që të mos zbulohej vendndodhja e tyre apo qelia në të cilën duhej të përfundonte droga.
Gjatë një periudhe prej 51 ditësh, hetuesit numëruan plot 1,826 dërgesa.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 500 gramë kanabis, 6,000 euro para të gatshme, një automjet, si dhe një dron me 18 bateri të përdorura për dërgesat.
“Nuk na habit”, tha një burim sindikal për AFP-në, duke theksuar se zyrtarët e burgjeve nuk kanë mjetet e nevojshme për t’u përballur me këtë lloj trafikimi.
Fenomeni i përdorimit të dronëve për trafikim në burgjet franceze është rritur ndjeshëm.
Në vitin 2025, në Francë u regjistruan më shumë se 5,000 fluturime ose përpjekje fluturimesh drejt burgjeve me dronë, krahasuar me më shumë se 800 në vitin 2024, thanë autoritetet e burgjeve për AFP-në në janar.
Sipas autoriteteve, rritja e madhe e rasteve lidhet pjesërisht edhe me vendosjen e detektorëve të dronëve./ad
