Last Updated on 12/09/2026 by EL
Garda Civile spanjolle ka shkatërruar një organizatë kriminale me bazë në Valencia, e cila dyshohet se përdorte kompanitë e shpërndarjes së pakove për të trafikuar lëndë narkotike brenda Spanjës dhe jashtë vendit.
Operacioni ka çuar në arrestimin e pesë personave, katër prej të cilëve janë lënë në paraburgim. Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar 172.5 kilogramë lëndë të ndryshme narkotike.
Sipas hetimeve, organizata dyshohet se ka kryer rreth 1,500 dërgesa që prej vitit 2025, në thuajse të gjitha provincat e Spanjës, si dhe në më shumë se 45 vende të botës.
Ndër destinacionet e identifikuara nga autoritetet janë Italia, Hungaria, Rumania, Australia, Shtetet e Bashkuara, Tajlanda, Tajvani dhe Sri Lanka.
Hetimi nisi pas sekuestrimit në Ganë të një pakete që përmbante 100 gramë MDMA dhe që, sipas autoriteteve, kishte origjinën në Valencia.
Pas këtij zbulimi, agjentët identifikuan një strukturë të mirëorganizuar, e cila përfshinte një laborator dhe një ambient të posaçëm për përgatitjen e pakove në zonat La Costera dhe La Canal de Navarrés.
Sipas Gardës Civile, porositë për drogën merreshin përmes platformave të komunikimit të koduar. Më pas, anëtarët e rrjetit përgatisnin lëndët narkotike dhe i fshihnin ato në pakot postare, të cilat dërgoheshin më pas në destinacione brenda dhe jashtë Spanjës./et
