Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ecuria e reformave dhe rëndësia e mbështetjes së partnerëve europianë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Tabaku përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe mesazhet kryesore të bisedës me zyrtarin gjerman. Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë, ndërsa vendi synon të avancojë në negociatat e anëtarësimit dhe të përmbushë detyrimet që lidhen me përafrimin e standardeve me ato të Bashkimit Europian.
Në qëndrimin e saj, Tabaku theksoi se suksesi i këtij procesi nuk duhet të matet vetëm me ecurinë e negociatave apo miratimin e reformave, por mbi të gjitha me ndikimin që ato kanë në jetën e qytetarëve. Sipas saj, integrimi europian duhet të përkthehet në përmirësim të shërbimeve, forcim të institucioneve dhe më shumë mundësi për shqiptarët.
“Për Shqipërinë, ky proces merr kuptim kur reformat sjellin ndryshime që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme”, shkroi Tabaku.
Një tjetër çështje e vënë në dukje nga deputetja ishte roli i Gjermanisë në rrugën europiane të Shqipërisë. Berlini konsiderohet një nga partnerët e rëndësishëm të vendit në procesin e integrimit, si në aspektin e mbështetjes politike, ashtu edhe në atë të përmbushjes së standardeve dhe kritereve të anëtarësimit.
“Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim”, shtoi deputetja e PD-së.
Takimi me ministrin gjerman për Europën ishte një mundësi për të diskutuar mbi sfidat dhe pritshmëritë që shoqërojnë procesin e integrimit, si dhe për rëndësinë që përparimi drejt BE-së të shoqërohet me rezultate të prekshme për qytetarët shqiptarë./ad
