Një aksident tragjik ka ndodhur në Japoni mbrëmjen e së premtes, ku si pasojë e motit të keq me dëborë, 67 automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Ngjarja e rëndë shënoi nisjen e pushimeve të fundvitit me një bilanc lufte: Dy persona të vdekur dhe 26 të tjerë të plagosur.
Sipas policisë rrugore të prefekturës Gunma, përplasja masive në autostradën Kan-etsu nisi pas goditjes mes dy kamionëve në qytetin Minakami, rreth 160 kilometra në veri-perëndim të Tokios.
Përplasja fillestare bllokoi rrugën, ndërsa makinat që vinin pas tyre e patën të pamundur të frenonin në kohë për shkak të pranisë së dëborës dhe akullit në asfalt.
Situata u përkeqësua kur një zjarr shpërtheu në fundin e kolonës së mjeteve të aksidentuara. Flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë 20 automjete, disa prej të cilave u shkrumbuan plotësisht. Zjarrfikësve iu deshën plot shtatë orë për të shuar flakët në të gjithë zonën e aksidentit.
Aksidenti ndodhi pikërisht kur në zonë ishte në fuqi një paralajmërim për reshje të dendura dëbore. Kjo periudhë përkon me nisjen e udhëtimeve masive të japonezëve për festat e Vitit të Ri. Pjesë të autostradës mbeten ende të bllokuara për shkak të hetimeve dhe pastrimit të mbetjeve të mjeteve të djegura./K.M
