Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë që transportonte emigrantë u përmbys në Detin Mesdhe.
Një total prej 32 të mbijetuarish u shpëtuan, ndërsa më shumë se 100 persona besohet se ishin në bordin e varkës së vogël kur ajo u përmbys.
“Mbytje tragjike e një anijeje në ditën e Pashkëve. 32 të mbijetuar, dy trupa të gjetur dhe më shumë se 70 persona të zhdukur”, shkroi në X koordinatori italian i shpëtimit Mediterranea Saving Humans.
Varka e vogël u nis nga Libia të shtunën dhe u përmbys në një zonë kërkim-shpëtimi që supozohet të trajtohet nga autoritetet libiane. Pamjet filmike treguan rreth 15 persona të kapur pas trupit të anijes së përmbysur në ujëra të hapura./mxh
