Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Elbasani është rikthyer te fitorja në javën e 12-të të Kategorisë Superiore, pasi ka mposhtur Dinamon me rezultatin 1-0 në “Elbasan Arena”. Ky sukses shënon edhe fitoren e trajnerit të verdhebluve, Glen Daja, ndaj skuadrës ku drejton babai i tij, Ilir Daja.
Pjesa e parë u karakterizua nga iniciativa e Dinamos, e cila iu afrua golit në disa raste me Ruçin dhe Vilën, por portieri Aleksovski mbajti portën e paprekur me pritje vendimtare. Në fraksionin e dytë, Elbasani u shfaq më kërkues dhe gjeti dy herë rrugën e rrjetës me anë të Mazarit, por të dy golat u anuluan.
Goli i parë në minutën e 61-të u bë i pavlefshëm për pozicion jashtë loje, ndërsa realizimi i minutës së 78-të u anulua pas sinjalizimit të VAR-it për prekje të topit me dorë. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 84-t, kur Epito përfitoi nga një top i mbetur në zonë pas një goditjeje dënimi dhe mposhti portierin Teqja.
Dinamo tentoi të barazonte në minutat e fundit, por goditja me kokë e Ditës u largua mbi vijën fatale nga Arsen Kasa, ndërsa tentativa e Berishës në kohën shtesë u ndal nga Aleksovski. Me këtë fitore, Elbasani ngjitet në vendin e pestë në renditje me 17 pikë, po aq sa ka edhe Dinamo që mban pozicionin e katërt./mxh
