Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Edmond në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri, ndërsa motra e tij 11-vjeçare është arrestuar dhe akuzuar për vrasje të shkallës së dytë.
Ngjarja ka ndodhur më 9 shtator në një zonë banimi në Edmond, rreth 15 milje në veri të qendrës së Oklahoma City.
Departamenti i Policisë së Edmondit bëri të ditur se mori një telefonatë për të shtëna me armë rreth orës 16:00.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën 15-vjeçarin me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ai nuk mundi të mbijetonte dhe u shpall i vdekur.
Pas ngjarjes, hetuesit nisën punën për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Sipas policisë, pak para orës 01:00 të mëngjesit të 10 shtatorit, hetuesit arrestuan motrën 11-vjeçare të viktimës.
E mitura u dërgua në një qendër paraburgimi për të mitur dhe u akuzua për vrasje të shkallës së dytë.
Motivi mbetet i panjohur
Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur motivin e dyshuar të të shtënave.
Nuk janë publikuar detaje të plota mbi atë që ka ndodhur në banesë para momentit të të shtënave, ndërsa hetuesit vijojnë të punojnë për të rindërtuar ngjarjen.
Po ashtu, nuk është bërë e ditur publikisht se si arma e zjarrit ka përfunduar në duart e 11-vjeçares apo nëse ka pasur ndonjë konflikt mes dy fëmijëve përpara ngjarjes.
Identiteti i të miturës nuk bëhet publik
Emri i 11-vjeçares nuk është publikuar nga autoritetet.
Për shkak të moshës së saj dhe faktit se çështja përfshin të mitur, policia dhe autoritetet e drejtësisë kanë kufizime ligjore lidhur me informacionin që mund të bëhet publik.
Për këtë arsye, deri tani nuk është bërë i ditur as identiteti i saj dhe as detaje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e të miturës.
“Ne e pranojmë se kjo është një situatë tragjike për familjen e përfshirë. Mendimet tona janë me ta ndërsa ata vajtojnë këtë tragjedi”, tha Policia e Edmondit.
Zyra e Prokurorit të Qarkut do të përcaktojë hapat e mëtejshëm në këtë çështje dhe procedurat që do të ndiqen./mxh
