Një 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, humbi jetën tragjikisht në Delaware të SHBA-së pasi u qëllua nga një gjuetar, i cili dyshohet se e ngatërroi për një dre.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, më 18 shtator, në zonën e Ellendale. Viktima, Santos Maria Chilel Soto, banonte në Georgetown.
Sipas Policisë Shtetërore të Delaware, 39-vjeçarja po ecte në një fushë së bashku me një burrë dhe dy fëmijë, rreth orës 19:40. Në të njëjtën kohë, 74-vjeçari Walter Moorhead, nga Salisbury, Maryland, ndodhej në vendngjarje, ku e qëlloi për vdekje. Ai ka deklaruar se e ka ngatërruar me një dre.
74-vjeçari përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, posedim të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi dhe tre akuza për rrezikim të shkallës së parë. Ai u lirua pasi pagoi një garanci prej 43 mijë dollarësh.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Soto ishte nënë e pesë fëmijëve dhe me origjinë nga Guatemala. Pas vdekjes së saj është nisur një fushatë online për mbledhjen e fondeve për shpenzimet e funeralit dhe transportimin e trupit të saj drejt Guatemalës./k.m
