Shkrimtarja Flutura Açka, pas një fushate elektorale në Elbasan, hyn për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga rënia e diktaturës, ajo ka qenë e përfshirë në debatin publik si shkrimtare e botuese. Përpjekja për të kontribuuar në demokracinë shqiptare, e shtyu të merrte pjesë aktive në politikë. A u përmbushën idealet e saj kur u përfshi në politikë? A është Shqipëria që do të donte, në fund të mandatit të saj? Një përmbledhje shënimesh, ku ajo jep përgjigje dhe shpjegon vendimin për largimin nga politika.
Eva shkon në Paris për të gjetur babanë që nuk e ka njohur kurrë. Ajo gjendet në një situatë të ndërlikuar, pasi i ati, një koleksionist veprash arti akuzohet se i ka shitur një pikturë Hitlerit dhe ka vrarë pronarët e saj. Eva do të provojë pafajësinë e të atit, por vetëm Kristina, një piktore ruse, e cila vuan nga amnezia, e di të vërtetën. Ndërsa e nxit Kristinën të kujtojë se çfarë ka ndodhur, ajo zbulon një trekëndësh dashurie, një tradhti dhe sekretin e trashëgimisë së saj, që do të ndryshojë fatin dhe mendimin e Evës për jetën.
Parandjenjë e trishtë
Jajoi jeton me familjen e saj të përsosur, por ndërsa prindërit i tregojnë histori të lumtura nga fëmijëria, ajo përndiqet nga ndjesia se ka harruar diçka nga e kaluara. Ajo shkon te tezja e saj, Jukino, e cila ka një sjellje të çuditshme: zgjohet në dy të mëngjesit dhe sheh serialin “E premtja e 13-të” dhe do të harrojë gjithçka. Duke jetuar një jetë pa rregull, Jukino po mbron veten, por nën këtë fasadë, Jajoi fillon të rigjejë kujtimet e humbura dhe gjithçka që ajo di për të kaluarën, rrezikon të ndryshojë përgjithmonë. /K.M
