Ditët po shkurtohen, temperaturat po ulen dhe dëshira për të qëndruar gjithë ditën nën batanije bëhet gjithnjë e më e madhe. Kjo gjendje, që shpesh njihet si “trishtimi dimëror”, nuk është e pazakontë gjatë muajve të ftohtë. Mungesa e dritës natyrale, ndryshimi i rutinës dhe moti i zymtë mund të ndikojnë në energjinë dhe humorin tonë, duke na bërë të ndihemi më të lodhur ose më pak të motivuar.
Megjithatë, ardhja e dimrit nuk do të thotë se duhet t’i dorëzohemi melankolisë. Disa ndryshime të vogla në përditshmëri mund të ndihmojnë për ta përmirësuar gjendjen emocionale dhe për të ruajtur energjinë edhe kur jashtë errësohet që herët.
1. Bëni një pushim nga lajmet dhe rrjetet sociale
Kur kalojmë më shumë kohë në shtëpi, është e lehtë të përfundojmë duke kaluar orë të tëra para telefonit, kompjuterit apo televizorit. Por ekspozimi i vazhdueshëm ndaj lajmeve dhe përmbajtjeve në rrjetet sociale mund të shtojë stresin dhe të ndikojë negativisht në humor.
Një zgjidhje e thjeshtë është të vendosni orare të caktuara për përdorimin e pajisjeve elektronike. Për shembull, mund t’i kontrolloni lajmet në mëngjes dhe të riktheheni te telefoni vetëm pasdite. Pjesën tjetër të kohës mund t’ia kushtoni aktiviteteve që ju ndihmojnë të shkëputeni nga ekrani.
2. Ruani një rutinë të qëndrueshme gjumi
Gjumi luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien fizike dhe emocionale. Një orar i çrregullt mund të ndikojë në ritmin cirkadian dhe në proceset hormonale që lidhen me energjinë dhe humorin.
Për të përmirësuar cilësinë e gjumit, përpiquni të flini dhe të zgjoheni çdo ditë në të njëjtën orë. Shmangni pajisjet elektronike para se të shtriheni, mbani dhomën të errët dhe krijoni një rutinë të përsëritur para gjumit, si për shembull të bëni dush, të lani dhëmbët dhe më pas të fikni dritat. Gjithashtu, përpiquni të ekspozoheni ndaj dritës natyrale sapo të zgjoheni.

3. Përfshini më shumë lëvizje në ditën tuaj
Edhe nëse ideja për të bërë palestër nuk ju tërheq aspak në ditët e ftohta, pak aktivitet fizik mund të bëjë ndryshim. Një shëtitje në lagje, disa ushtrime në shtëpi apo një aktivitet që ju pëlqen mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit dhe të energjisë.
Nuk është e nevojshme të nisni me një program intensiv. Edhe lëvizja për pak minuta mund të jetë një mënyrë e mirë për të dalë nga rutina dhe për t’i dhënë vetes një shtysë pozitive.
4. Provoni metodën 10x10x10
Nëse e keni të vështirë t’i përmbaheni një rutine të gjatë ushtrimesh, ndajeni aktivitetin fizik në intervale më të shkurtra. Metoda 10x10x10 është një mënyrë praktike për ta bërë këtë: në vend që të ecni 30 minuta rresht, bëni tri shëtitje nga 10 minuta gjatë ditës.
Mund të dilni për një ecje të shkurtër në mëngjes, një tjetër në mesditë dhe të fundit pasdite. Kështu, aktiviteti fizik bëhet më i lehtë për t’u përfshirë në përditshmëri, edhe kur motivimi mungon.

5. Kushtojini vëmendje ushqyerjes
Ajo që konsumoni mund të ndikojë edhe në mënyrën si ndiheni. Gjatë muajve të dimrit, është e rëndësishme të ruani një ushqyerje të ekuilibruar dhe të përfshini ushqime të pasura me lëndë ushqyese që mbështesin funksionimin normal të organizmit.
Vitamina D, për shembull, është një element që meriton vëmendje gjatë periudhave me më pak ekspozim në diell. Peshqit e yndyrshëm, si salmoni dhe sardelet, janë ndër burimet ushqimore të saj. Megjithatë, ushqyerja e shëndetshme nuk është një zgjidhje e vetme për problemet e humorit, por mund të jetë pjesë e një rutine që mbështet mirëqenien tuaj.
6. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë
Nëse ndiheni vazhdimisht të trishtuar, të lodhur ose pa motivim dhe këto ndjesi nuk përmirësohen me kalimin e kohës, është e rëndësishme të mos i neglizhoni. Ndonjëherë, ndryshimet sezonale të humorit mund të jenë më të vështira për t’u përballuar sesa duket në fillim.
Në këto raste, biseda me një psikolog ose specialist të shëndetit mendor mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë atë që po përjetoni dhe të gjeni mbështetjen e duhur. Nuk ka arsye ta përballoni gjithçka vetëm./k.m
