Evropa ndëshkoi miliarderët rusë për luftën në Ukrainë. Duhet të bëjë të njëjtën gjë me ata që mbështesin një regjim ekocidal.
Nga Alexander Hurst
Katastrofat ekologjike të luftës SHBA–Izrael me Iranin janë tashmë mjaftueshëm të rënda: tymi toksik nga impiantet e naftës të bombarduara, derdhjet në ujërat e Gjirit, ndotja e tokës bujqësore dhe e ujërave nëntokësore me kimikate të rrezikshme të çliruara nga shpërthimet dhe mbeturinat e tyre, si dhe miliona tonë shtesë CO₂ të hedhura në atmosferë. Por, sado e rëndë të jetë, lufta me Iranin fsheh një konflikt tjetër: luftën ekologjike që SHBA e Donald Trump po zhvillon kundër pjesës tjetër të botës.
Kur BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën sanksione individuale, ndalime udhëtimi dhe sekuestrime pasurish ndaj oligarkëve rusë, kjo nuk ndodhi sepse shumica e tyre ishin personalisht përgjegjës për luftën agresive të Vladimir Putin kundër Ukrainës. Ata u shënjestruan sepse, si klasë, u konsideruan të pandashëm nga aparati i korrupsionit dhe levat e pushtetit të shtetit rus që kërcënon stabilitetin global.
Shpërbërja klimatike dhe pasojat e saj ekologjike – shumë prej tyre ende të shmangshme – kërcënojnë botën në të njëjtën mënyrë. Ka ardhur koha që e njëjta logjikë të zbatohet ndaj një kaste tjetër oligarkësh, këtë herë amerikanë, të cilët duken po aq të ndërthurur me aparatin e administratës Trump. Mes tyre janë baronë teknologjie nga Silicon Valley dhe drejtues të industrisë së karburanteve fosile, emrat e të cilëve qëndrojnë në hijen e Trump-it, së bashku me aparatçikët që zbatojnë një politikë të përgjithshme kundër mjedisit, e cila duhet parë me të drejtë si ekocid.
Këta njerëz – kryesisht burra – që po djegin planetin, duhet të kenë sa më pak akses në të. Emri i Trump-it nuk duhet të zbukurojë portat e fushave të tij të golfit në Skoci dhe Irlandë, dhe bashkëpunëtori i tij Lee Zeldin, që drejton agjencinë me emrin ironik Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), nuk duhet të fluturojë drejt Mynihut për t’i dhënë leksione Evropës mbi politikat e saj “shkatërruese”. Asnjë miliarder në orbitën e Trump-it nuk duhet të ketë mundësi të skijojë në Alpe, të shijojë jamón të vjetër në Mallorca, të shërbehet me shampanjë në Cheval Blanc, apo të paguajë mbi 100 mijë euro në javë për vila luksoze në Algarve apo në Côte d’Azur, nëse është bashkëfajtor në një ekocid aktiv që kërcënon vetë ekzistencën e këtyre vendeve.
Bota e Putinit është kufizuar nga një urdhër-arrest i Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), për t’u përballur me drejtësinë për krime të supozuara lufte. Por, siç shkroi së fundmi ministrja e mjedisit e Republikës Demokratike të Kongos, Marie Nyange Ndambo, “ekocidi është një krim kundër njerëzimit” dhe duhet të njihet si i tillë. Dhe mos kini asnjë dyshim: pikërisht këtë po kryen administrata Trump. Vetëm në muajt e fundit ajo ka ndjekur shkatërrimin e miliona hektarëve pyje në bregun lindor të SHBA përmes prerjeve, hapjen për shpime të një milion hektarëve në atë që njihet si “Serengeti amerikan” në Alaskë; një fushatë nxjerrjeje mineralesh në fundin e detit në përmasa të panjohura (pavarësisht moratoriumit global të vendosur nga 40 vende); si dhe krijimin e kushteve që i gjithë Gjiri i Meksikës të përballet me një katastrofë të dytë të tipit Deepwater Horizon.
Në ndjekje të këtij shkatërrimi sistemik – si eliminimi i aftësisë së EPA-s për të rregulluar emetimet e CO₂ dhe shkatërrimi i bazës shkencore mbi të cilën mbështeten rregulloret – qeveria e Trump duket se e konsideron të pranueshme që operatorët e naftës dhe gazit të vrasin arinj polarë dhe këlyshët e tyre, apo që një specie e tërë balenash të zhduket nga faqja e dheut, duke hequr mbrojtjet për 50 individët e fundit. Është e vështirë të imagjinohet një nivel më karikatural i së keqes ekologjike sesa urdhërimi i Pentagonit për të djegur më shumë qymyr – duke braktisur projektet e erës vetëm për të ndotur më shumë.
Kjo është një agjendë me nivele sociopatike shkatërrimi të botës natyrore nga e cila varemi. Përse ndryshe një qeveri do të ndërmerrte hapa për të ndalur investimet private në energjitë e rinovueshme, madje duke paguar kompani energjetike për të anuluar parqe eolike në det të hapur? Dhe kjo nuk kufizohet vetëm në SHBA: administrata Trump po kërcënon vende të tjera që ndjekin politika për reduktimin e karbonit dhe objektivin “net-zero”.
Terma si “gjenocid”, “ekocid” dhe “krim kundër njerëzimit” përdoren shpesh si superlativa për të përshkruar akte të tmerrshme ndaj grupeve të caktuara njerëzish. Por “krim kundër njerëzimit” nuk do të thotë vetëm “diçka e neveritshme në një shkallë të paimagjinueshme”. Ai na përfshin të gjithëve si viktima. Shkatërrimi i një grupi kulturor është krim ndaj njerëzimit tonë të përbashkët; po kështu edhe shkatërrimi masiv i ekosistemeve ku jetojmë. Krimet e administratës Trump nuk kryhen vetëm ndaj arinjve polarë, akujve apo pyjeve – ato kryhen ndaj meje, ndaj teje. Evropa, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, është veçanërisht e ekspozuar ndaj krizës klimatike.
Nuk jam aq naiv sa të mendoj se, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po shpërbëhet, do të ketë një valë të menjëhershme mbështetjeje për një regjim të ri sanksionesh të ndërtuar mbi konceptin e ekocidit. Si Vladimir Putin ashtu edhe Benjamin Netanyahu përballen me urdhra arresti ndërkombëtar për krime të supozuara lufte; asnjëri nuk duket se ka frikë reale nga një qeli në Hagë. Megjithatë, liderët evropianë kanë filluar të heqin dorë nga përulësia e vazhdueshme ndaj Shtëpisë së Bardhë. Emmanuel Macron deklaroi se jemi në një moment unik ku Trump, Xi Jinping dhe Putin janë “ashpërsisht kundër Evropës”. Friedrich Merz tha se Trump po “poshtërohet” nga udhëheqja iraniane, ndërsa Pedro Sánchez ka shkuar edhe më tej si në fjalë ashtu edhe në veprime.
Evropa duhet të jetë më e guximshme, të veprojë më shpejt dhe të pranojë se kjo SHBA është një kundërshtare e mirëqenies globale. Individët e fuqishëm që shtyjnë përpara axhendën e administratës Trump – në mënyrë zyrtare apo jo – duhet të përballen me sanksione individuale, ndalime udhëtimi dhe rrezikun real për lirinë e tyre personale nëse shkelin në një vend që është i gatshëm t’i mbajë përgjegjës.
Kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Nëse ndodh, do të jetë një proces i ngadaltë, ndoshta i nisur nga një aktor i vetëm i guximshëm. Por, në një moment, dikush duhet të vendosë në favor të pasojave dhe të ndalë ata që po ndotin planetin në shkallë masive nga lëvizja e lirë mbi të.
*Alexander Hurst shkruan për Guardian Europe nga Parisi/ Përgatiti për botim: L.Veizi
