Presidenti amerikan, Donald Trump tha të dielën se do të shqyrtojë kërkesat e familjeve të viktimave të 11 shtatorit për të publikuar të dhëna që mund të hedhin dritë mbi rolin e supozuar të Arabisë Saudite në sulmet e 25 viteve më parë.
Disa familje kanë pretenduar prej kohësh se një grup udhëheqësish fetarë ekstremistë në Arabinë Saudite fituan ndikim në qeverinë saudite dhe ndihmuan rrëmbyesit. 15 nga 19 rrëmbyesit ishin sauditë, por qeveria saudite ka mohuar prej kohësh çdo përfshirje në sulme.
Familjet i kanë kërkuar Trumpit të deklasifikojë dhe publikojë të dhënat përkatëse. I pyetur për këtë të dielën gjatë udhëtimit të tij në Irlandë, presidenti tha se do ta shqyrtonte atë.
“Do ta shoh kur të kthehem. E di që më pyetën të premten”, tha Trump pak para se të hipte në Air Force One për t’u kthyer në Uashington pas një fundjave në Irlandë.
Të afërmit e viktimave të 11 shtatorit janë angazhuar në një betejë të gjatë ligjore kundër sauditëve. Njëri prej tyre, Terry Strada, i bëri thirrje Trump gjatë përkujtimit në New York City të premten që “t’u thotë sauditëve të ndalojnë së gënjyeri”.
Strada, e cila humbi bashkëshortin e saj Tom Strada më 11 shtator, tha se presidentët amerikanë kishin zgjedhur “të mbronin sauditët në vend që të qëndronin me familjet e 11 shtatorit”./ad
