Last Updated on 02/10/2026 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump tha sot, në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social”, se vendet evropiane kanë rënë dakord të nxjerrin në treg një sasi shumë të madhe të rezervave të tyre të naftës.
“Evropa sapo ka rënë dakord të nxjerrë në treg një sasi shumë të madhe të naftës (diesel) që mban në rezervat e saj. Procesi do të nisë menjëherë”, tha Trump në “Truth Social”.
Megjithatë, vendet evropiane nuk e kanë konfirmuar ende këtë deklaratë.
Në postimin e tij, Trump nuk sqaroi se cilit institucion po i referohej kur fliste për nxjerrjen e rezervave.
Sipas Komisionit Evropian, përgjegjës për vendimin për nxjerrjen e rezervave të naftës do të ishte Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Vendet mbajnë rezerva nafte dhe karburantesh për raste emergjente ose kur furnizimi ndërpritet dhe çmimet rriten shumë.
Në këtë rast, ideja është që një pjesë e këtyre rezervave të nxirret në treg për të shtuar sasinë e karburantit në dispozicion dhe për të ndihmuar në uljen e çmimeve.
Pas rritjes së madhe të çmimeve të naftës dhe benzinës, Trump shqyrtoi mundësinë e ndalimit të eksporteve amerikane të naftës drejt Bashkimit Evropian.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha dje se Evropa duhet të vërë menjëherë në dispozicion sasi shtesë karburanti, me qëllim uljen e çmimeve.
Udhëheqësit e vendeve të G7, grupit që përfshin ekonomitë kryesore të botës, pritet të diskutojnë situatën globale të energjisë në një videokonferencë, bëri të ditur Presidenca franceze.
Sipas Komisionit Evropian, çmimet e naftës në Evropë, janë dyfishuar që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit, ndërsa çmimet e gazit janë rritur me 140%./mxh
