Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka konfirmuar ende nëse do ta mbështesë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Izrael.
Sipas transmetuesit publik izraelit Kan, presidenti Trump deklaroi në një intervistë se ka gjasa ta mbështesë Netanyahun, por fillimisht dëshiron të shohë se cilët do të jenë kandidatët në garë.
Trump theksoi se ruan një marrëdhënie të mirë me Netanyahun, por shtoi se lideri izraelit duhet të veprojë “më me mençuri”.
Zgjedhjet për parlamentin izraelit, Knesset, nuk kanë ende një datë të caktuar, megjithëse sipas ligjit ato duhet të mbahen deri më 27 tetor të këtij viti.
Sondazhet aktuale tregojnë se koalicioni i djathtë fetar i Netanyahut rrezikon të humbasë shumicën parlamentare.
Muajt e fundit Trump ka shtuar kritikat publike ndaj kryeministrit izraelit.
Ai e ka cilësuar Netanyahun si një person “shumë të vështirë” dhe e ka akuzuar për mungesë gjykimi, ndërsa ka kritikuar edhe veprimet e ushtrisë izraelite në Liban.
Sipas raportimeve të gazetës “The Wall Street Journal”, mosmarrëveshjet mes dy liderëve po tensionojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e tyre.
Burime qeveritare amerikane pretendojnë se Trump është irrituar nga insistimi i Netanyahut për zgjerimin e operacioneve ushtarake, veçanërisht gjatë përpjekjeve të presidentit amerikan për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin./mxh
