Donald Trump u tërhoq nga synimi i tij i bujshëm për të blerë apo pushtuar Groenlandën, por duket se tani po kërkon “çek të bardhë” për praninë ushtarake në ishull. Sipas prestigjiozes Bloomberg, Uashingtoni po negocion me Danimarkën për të ndryshuar rrënjësisht marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951, të amenduar në 2004-ën.
Sipas marrëveshjes, Uashingtoni është i detyruar të marrë miratimin e Kopenhagenit për çdo lëvizje të ushtrisë amerikane që ka baza në ishullin arktik, me rreth 200 trupa të stacionuar atje, por shefi i Shtëpisë së Bardhë synon ta ndryshojë këtë, siç pohoi edhe në një intervistë për FOX NEWS.
“Do të kemi qasje të plotë në Groenlandë. Nga ana ushtarake do të mund të vendosim ç’të duam atje, sepse bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Forumin Ekonomik të Davosit, presidenti amerikan hoqi dorë nga tarifat ndaj vendeve europiane që kundërshtuan planet e tij për marrjen e kontrollit të Groenlandës.
