Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se planifikon të mbajë paraqitje fushate në të gjithë vendin për 32 ditë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të nëntorit, duke e vendosur veten në qendër të përpjekjeve të republikanëve për të ruajtur kontrollin e Kongresit, në një kohë kur sondazhet parashikojnë fitime për demokratët.
Zgjedhjet e 3 nëntorit do të përcaktojnë nëse republikanët do të vazhdojnë të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, apo nëse demokratët do të arrijnë të mbledhin shumicën në të dyja dhomat për dy vitet e ardhshme të mandatit të Trump.
Shumë sondazhe tregojnë se demokratët kryesojnë në shtetet kyçe për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe janë në një pozicion të mirë për të rifituar kontrollin e Senatit, ndërsa amerikanët shqetësohen për kostot e larta të energjisë dhe luftën e vazhdueshme të Trump me Iranin.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se është i bindur në perspektivat e partisë së tij dhe hodhi poshtë shqetësimet se disa republikanë po distancohen prej tij në ditët e fundit të fushatës zgjedhore.
“Ju më doni dhe unë i dua ata”, tha ai, me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, në krah të tij.
Trump shpjegoi se këtë javë do të nisë atë që e quajti një “turne 32-ditor” në shtete të ndryshme, përfshirë Teksasin dhe Ohajon.
“Vetëm që ta kuptoni, të gjithë duan që unë të iki. Unë jam një qenie njerëzore. Të gjithë duan që unë të bëj paraqitje në fushatë”, vuri në dukje ai.
Disa kandidatë republikanë e kanë mirëpritur pjesëmarrjen e Trump në fushatë, megjithëse të tjerë po i kushtojnë më shumë rëndësi çështjeve rajonale dhe arritjeve të tyre./ad
