Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj SHBA-ve apo Izraelit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Irani sapo deklaroi se do të godasë shumë fort sot, më fort se kurrë më parë. Nuk duhet ta bëjnë këtë, sepse nëse e bëjnë, ne do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë!”
Deklarata e tij erdhi pasi Garda Revolucionare (IRGC) paralajmëroi se do të sulmojë bazat amerikane dhe Izraelin në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.
“Operacioni më shkatërrues ofensiv në historinë e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të nisë drejt territoreve të pushtuara dhe bazave terroriste amerikane brenda pak çastesh”, thuhej në deklaratën e IRGC disa orë më parë.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në zyrën e tij të shtunën në mëngjes gjatë sulmeve ajrore të përbashkëta SHBA–Izrael. Lajmi u konfirmua nga mediat shtetërore. Presidenti Donald Trump tha se Khamenei ishte “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe u bëri thirrje iranianëve të “marrin mbrapsht vendin e tyre”./kb
