Sina Toossi
Presidenti po sillet sikur fushëbeteja është e njëjtë, por nuk është ashtu. Irani ka pikë rëndese (leverage) dhe e di këtë. Dhe kështu, drejt luftës. Sërish. Pas një armëpushimi dhe një periudhe qetësie, Donald Trump ka hyrë tashmë në ditën e dytë të një faze të re të bombardimit të Iranit, me ushtrinë amerikane që pretendon se ka goditur 170 objektiva iranianë në 48 orët e fundit. Kjo nuk përbën ndonjë surprizë.
Duke folur në samitin e NATO-s në Ankara këtë javë, Donald Trump tha se besonte se memorandumi i mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit kishte “përfunduar”. Ai i përshkroi udhëheqësit e Iranit si “njerëz të ligj e të sëmurë” dhe kërcënoi me rifillimin e veprimeve ushtarake e madje edhe me një bllokadë të re të porteve iraniane, duke lënë gjithashtu derën e hapur për negociata të mëtejshme. Këto deklarata pasuan një raund të ri sulmesh të SHBA-së në Iranin jugor, pasi Teherani sulmoi anijet tregtare që kalonin përmes pjesës jugore të Ngushticës së Hormuzit — jashtë korridorit detar që ai vetë kishte përcaktuar — dhe shërbyen gjithashtu si paralajmërim për sulmet. Të mërkurën vonë, u raportuan shpërthime në tre lokacione të tjera në Iran.
Konflikti vetëm sa do të përshkallëzohet që këtu e tutje. Në Truth Social, presidenti i SHBA-së shkroi: “Kjo është në shenjë hakmarrjeje për bombardimin e djeshëm të anijeve nga Irani. Nëse ndodh përsëri, do të bëhet shumë më keq!”
Megjithatë, rënia e memorandumit nuk filloi këtë javë. Ai nisi të zhbëhej pothuajse që nga momenti kur u nënshkrua, për shkak të problemit qendror që ka pëndjekur diplomacinë SHBA-Iran për dekada me radhë: mungesa e një baze të besueshme për mirëbesim. Teherani kishte pak arsye të besonte se Uashingtoni do të siguronte një lehtësim të qëndrueshëm të sanksioneve, do të braktiste strategjinë e tij të kahershme të detyrimit dhe ndryshimit të regjimit, apo do të përmbahej nga rikthimi te këto të njëjta politika pasi Irani të kishte dorëzuar burimet e tij kryesore të presionit. Kjo është arsyeja pse përpjekja për kontrollin e Hormuzit është kthyer në çështjen përcaktuese të memorandumit dhe jo në një mosmarrëveshje periferike.
Në letër, memorandumi ofron një rrugë drejt çtensionimit. Logjika e tij është e njëpasnjëshme: lundrimi përmes Hormuzit do të rifillonte nën “rregullimet” iraniane, bllokada e SHBA-së ndaj Iranit do të hiqej, Teherani do të merrte një lejim për eksportin e naftës dhe qasje në një pjesë të pasurive të tij të ngrira, kërcënimet do të pushonin dhe lufta në Liban do të përfundonte. Së bashku, këto hapa kishin për qëllim krijimin e një baze minimale besimi pas luftës dhe hapjen e derës për negociata mbi programin bërthamor të Iranit.
Por kjo logjikë varej nga një supozim i brishtë: që Uashingtoni dhe Teherani do ta trajtonin zbatimin e pjesshëm si një urë drejt një marrëveshjeje më të gjerë, dhe jo si një mundësi për të ruajtur pikat e tyre të rëndësishme të presionit duke testuar vendosmërinë e palës tjetër. Në praktikë, asnjëra palë nuk besoi se tjetra po respektonte zotimet që kishin më shumë rëndësi.
Nga perspektiva e Teheranit, Uashingtoni filloi të shkelte dispozitat kryesore menjëherë. Klauzola e parë e memorandumit, e cila bënte thirrje për fundin e luftës në Liban, nuk u përmbush kurrë, me forcat izraelite që vazhduan operacionet dhe ruajtën praninë në pjesë të vendit. SHBA gjithashtu thuhet se ka kundërshtuar lirimin e pasurive të ngrira të Iranit në përmasat që priste Teherani. Trump vazhdoi të bënte kërcënime ushtarake, duke përfshirë kërcënimin publik për rrëmbimin e negociatorëve iranianë gjatë raundit të parë të bisedimeve në Zvicër. Më pas, më 7 korrik, SHBA revokoi lejimin e Iranit për eksportin e naftës, teksa Teherani po përpiqej të konsolidonte kontrollin mbi lundrimin përmes Hormuzit – jo duke e mbyllur përgjithmonë ngushticën, por duke i detyruar anijet të kalonin përmes rrugës së saj të përcaktuar veriore, në vend të rrugës jugore të mbështetur nga SHBA. Secila palë arriti në përfundimin se tjetra po përfitonte nga lëshimet duke mbajtur pezull të vetat.
Megjithatë, kjo mosbesim i ndërsjellë nuk është thjesht produkt i ngjarjeve të fundit. Ai pasqyron dekada diplomacie të dështuar. Hartuesit e politikave iraniane kanë parë sanksione që vendosen vazhdimisht, hiqen pjesërisht dhe më pas rivendosen nëpër administrata të njëpasnjëshme të SHBA-së. Nga perspektiva e Teheranit, pyetja qendrore është nëse ndonjë president i SHBA-së mund të ofrojë lehtësim të sanksioneve dhe ta bëjë atë lehtësim të qëndrueshëm. Një pjesë e madhe e arkitekturës së sanksioneve të SHBA-së është e ngulitur në legjislacionin e Kongresit, duke i lënë presidentët të mbështeten te lejim-pezullimet e rinovueshme që mund të revokohen me një të rënë të lapsit. Bizneset dhe investitorët e kuptojnë këtë realitet, kjo është arsyeja pse edhe pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, lehtësimi i sanksioneve dështoi të prodhonte nivelin e investimeve, integrimit bankar dhe kthimit te stabiliteti ekonomik që priste Irani.
Pasoja më e madhe është se Uashingtoni ka gërryer vazhdimisht besueshmërinë e vetë lehtësimit të sanksioneve. Nëse lehtësimi ekonomik shihet si i përkohshëm dhe i kthyeshëm, ai humbet pjesën më të madhe të vlerës së tij si një stimul për ndryshimin e qëndrueshëm të politikave. Teherani ka nxjerrë një përfundim të prerë: premtimet për lehtësimin e sanksioneve në të ardhmen janë thjesht shumë të brishta për të ndërtuar mbi to sigurinë afatgjatë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ky avantazh pozicional (leverage) është ndoshta edhe më pasojëndjellës sot sesa ishte përpara luftës. Rezervat strategjike të naftës të SHBA-së mbeten kryesisht të shteruara, ndërsa inventarët globalë të naftës mbeten të kufizuar, pasi lundrimi përmes Hormuzit ka qëndruar shumë nën nivelet e paraluftës. Rezultati është shumë më pak hapësirë (amortizim) për të përballuar një ndërprerje të zgjatur në ngushticë, duke rritur rrezikun e një goditjeje shumë më të madhe energjetike globale. Ndryshe nga shkëmbimi i programit të tij bërthamor apo burimeve të tjera të presionit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve që mund të rezultonin të përkohshme, Hormuzi i ofron Teheranit diçka thelbësisht ndryshe: një garanci që qëndron në duart e veta.
Duke orientuar trafikun tregtar përmes korridorit të tij të përcaktuar dhe potencialisht duke krijuar një administratë të përbashkët të aftë për të mbledhur tarifa tranziti me fqinjin e tij detar, Omanin, Irani do të lidhte mirëqenien e tij dhe kostot e detyrimit ndaj tij drejtpërdrejt me funksionimin e ekonomisë globale. Presidentët e ardhshëm të SHBA-së mund ta braktisnin ende diplomacinë. Kongresi mund t’i shtrëngonte sërish sanksionet. Por, të bërit e kësaj nuk do të ishte më pa kosto ekonomike.
Kjo pasqyron një evolucion më të gjerë në mendimin strategjik të Teheranit. Irani sot zotëron tre forma kryesore avantazhi (leverage) ndaj SHBA-së dhe Izraelit. E para është aftësia e tij ushtarake dhe rrjeti i aleancave rajonale, duke përfshirë forcat e tij të raketave dhe dronëve, asetet detare asimetrike dhe partnerët si Hezbollahu, Huthit dhe grupet e armatosura në Irak. Këto mund të shkaktojnë kosto të rëndësishme ushtarake, por edhe sukseset në fushëbetejë nuk kanë gjasa të ndryshojnë thelbësisht ekuilibrin kundrejt fuqisë së përbashkët ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit. E dyta është programi i tij bërthamor, prej kohësh karta kryesore e bisedimeve e Teheranit me Uashingtonin, i cili, me gjithë dëmet e mëdha në objektet e tij të deklaruara, ende i lë Iranit opsione të rëndësishme nëse vendos të shkojë me shpejtësi drejt bombës. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, është burimi i tretë i avantazhit – kontrolli mbi pikat strategjike të kalimit të energjisë në rajon dhe mbi të gjitha Ngushtica e Hormuzit – ai që është bërë i domosdoshëm.
Ky ndryshim mbart një mësim të rëndësishëm për Uashingtonin. Pyetja nuk është thjesht nëse Irani është i gatshëm të negociojë. Është nëse SHBA mund të ofrojë një rregullim që Teherani beson se do të zgjasë pasi të ketë dorëzuar pikat e tij të rëndësishme të presionit. Memorandumi nuk iu përgjigj kurrë kësaj pyetjeje. Ai mbështetej në sigurime që udhëheqësit iranianë i konsideronin si të kthyeshme, ndërsa u kërkonte atyre të zbehnin një nga format e pakta të avantazhit që ata e konsideronin të qëndrueshme. Kjo nuk e bën diplomacinë të pamundur. Por do të thotë se marrëveshjet e ndërtuara kryesisht mbi premtime për lehtësim sanksionesh në të ardhmen nuk kanë gjasa të mbijetojnë. Nëse Uashingtoni dështon të kuptojë se sa thellësisht lufta e ka rimodeluar kalkulimin strategjik të Teheranit, ai do të vazhdojë të negociojë mbi supozime që nuk ekzistojnë më, dhe do të vazhdojë të prodhojë marrëveshje që asnjëra palë nuk beson vërtet se tjetra do t’i nderojë.
*Sina Toossi është bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare (Center for International Policy), ku puna e tij fokusohet në marrëdhëniet SHBA-Iran, politikën e SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme dhe çështjet bërthamore.
