Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po studion mundësinë e zvogëlimit të pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, një veprim që mund të ndikojë në marrëdhëniet transatlantike dhe në rolin e NATO.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se vendimi për reduktimin e mundshëm të trupave, aktualisht mbi 36,000 ushtarë të stacionuar në baza në të gjithë Gjermaninë, pritet të merret brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Deklarata vjen vetëm disa ditë pasi kancelari gjerman, Friedrich Merz, kritikoi qasjen amerikane ndaj tensioneve me Iranin. Gjatë një fjalimi para studentëve në Marsberg, Merz u shpreh se SHBA-të nuk kanë një strategji të qartë dhe sugjeroi se negociatorët amerikanë janë vënë në vështirësi nga pala iraniane.
Trump reagoi ashpër ndaj këtyre komenteve, duke e akuzuar Merz se nuk e kupton situatën dhe duke shtuar se nuk është çudi që Gjermania po ecën keq, si ekonomikisht, ashtu edhe ndryshe.
Megjithatë, Merz u përpoq të ulë tensionet, duke deklaruar në një konferencë për shtyp se marrëdhënia e tij personale me presidentin amerikan mbetet e mirë.
Këto zhvillime ndodhin në një moment kur Trump ka kritikuar vazhdimisht NATO-n, duke e cilësuar atë si një tigër letre dhe duke kërcënuar me tërheqje të SHBA-ve nga aleanca.
Ndërkohë, zyrtarë të NATO-s kanë theksuar se traktati themelues i organizatës nuk parashikon mekanizma për pezullimin apo përjashtimin e anëtarëve, pas raportimeve për masa të mundshme ndëshkuese ndaj disa aleatëve./kb
