Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, një nga zërat më kritikë ndaj liderit aktual të kësaj force politike, ka bërë deklarata të forta në emisionin “Koha Jonë-Debat” me Nikoll Lesi, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Sali Berishës dhe mënyrës si po drejton Partinë Demokratike.
Që në fillim, Salianji hodhi poshtë akuzat e Berishës se në takimet e tij marrin pjesë socialistë apo elementë kriminalë, duke e sfiduar publikisht për ballafaqim:
“…ajo që di të them, është që mbështetja ka qenë masive. Ju thatë me të drejtë që atë që thotë Berisha, se mbështetet jo nga demokratë, por unë i sfidoj, edhe këtu tek Ju po të duan, të vijnë, dhe ti marrin sallat e takimeve, që janë gjysma e atyre që kam unë nëpër qarqe, ti marr edhe unë me foto takimet dhe ti identifikoj një për një me emër, ku janë, si janë demokratë, të gjithë zotërinjtë, dhe në cilat lagje punojnë për PD, dhe nga ana tjetër, të vijnë dhe të thonë se cili është socialist në sallë.”
Sipas tij, akuzat e Berishës janë të pabazuara: “E kuptoni ju që ai çfarë nuk po shpik nga halli, Sali Berishën e ka gjet belaja dhe nuk thotë dot në një sallë që ky këtu është me PS.”
“Më ndjekin me kamera në çdo takim”
Salianji pretendoi se në çdo takim të tij ka vëzhgim të imtësishëm për të identifikuar pjesëmarrësit:
“E dini ju që ai në çdo takim, përveç kamerave që trasmeton në Facebook, është kamera e zotërisë për të parë dhe i fokuson një nga një, se mos gjen ndonjë që është socialist apo jo.”
“Unë eci vetë nëpër qytet”
I pyetur nga Lesi nëse ka frikë për jetën apo nëse lëviz me shoqërues, ish-deputeti dha këtë përgjigje:
“Unë eci vetë nëpër qytet, nëse e ka njeri me merak, eci vetë. Dal vetë, nuk kam asnjë problem, nuk besoj që ka njeri kaq guxim, por edhe këto i kam marrë parasysh. Unë e njoh mirë historinë, sidomos ato që thuhen nëpër tavolina, që nuk thuhen kështu publikisht. Njerëz të paguar mund të ketë, unë i kam marrë parasysh të gjitha.”
“Berisha vendos edhe për pastrueset në PD”
Në një tjetër moment, Salianji akuzoi Berishën për kontroll absolut mbi strukturat e partisë:
“Edhe tek pastrueset, dhe të them edhe një element tjetër, që është me rëndësi. Në PD vendos Berisha për çdo gjë. Ky është fotografim i realitetit. Nëse nuk është kështu si them unë, çfarë të them.”
Një nga deklaratat më të forta të mbrëmjes ishte ajo për gjendjen shëndetësore të Berishës:
“Unë them që ka nevojë për t’u vizituar tek psikiatri. Po të më thoshe mua ‘shko vizitohu’, do të thosha hajde ta bëjmë publikisht.”
Duke e relativizuar deklaratën, ai shtoi: “Pse është e rëndë? … Për zemrën është vetë kardiolog ai. Unë them, po të me thuash mua ti që shko dhe vizitohu tek psikiatri, unë them se ‘hajde e bëjmë në publik vizitën të psikiatri’.”
“Protestat më të dobëtat në historinë e PD”
Salianji kritikoi ashpër edhe organizimin e protestave të fundit të opozitës, duke i cilësuar si dështim:
“Janë protestat më të dobëta që Partia Demokratike ka organizuar në historinë e saj. Si mund të mos i them unë këto. Errësia mund të mbulojë shumë gjëra, edhe boshlliqet, por nuk e mbulon dot paaftësinë e drejtuesëve për të nxjerrë njerëz.”
Madje ai solli edhe një episod ironik:
“Më tha një mik që në festën e synetllikut të çunit kisha më shumë njerëz se ju. Më erdhi shumë zor.”
Në fund, ai shtoi: “Ndaj them duhet të ndryshojmë, ka rënë ja 15 herë Rama, do bjeri edhe me 8 maj. Do ta rrëzojë Berisha.”
