Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord të ndalojnë të gjitha të shtënat, me efekt që nga mbrëmja e së premtes, pas bisedimeve që ai zhvilloi me udhëheqësit e të dy vendeve.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë “shumë të mirë” me kryeministrin e Tajlandës, Anutin Charnvirakul, dhe kryeministrin e Kamboxhias, Hun Manet, lidhur me “ringjalljen fatkeqe të luftës së tyre të gjatë”. Sipas tij, të dyja palët ranë dakord për armëpushim dhe për rikthimin te marrëveshja fillestare e paqes, e arritur më herët me ndërmjetësimin e kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim.
Trump theksoi gjithashtu se shpërthimi i një bombe anës rrugës, që shkaktoi viktima mes ushtarëve tajlandezë, ishte aksidental, por se Tajlanda reagoi me forcë. Ai shtoi se të dy vendet janë të gatshme për paqe dhe për vazhdimin e tregtisë me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, deklarata e Trump erdhi mes toneve më të kujdesshme nga pala tajlandeze. Kryeministri Anutin tha disa orë më herët se biseda me Trump “shkoi mirë”, por nuk përmendi një marrëveshje konkrete për ndalimin e luftimeve.
Ndërkohë, në një deklaratë të publikuar të shtunën në Facebook, kryeministri kamboxhian Hun Manet konfirmoi bisedën me Trump dhe një diskutim të mëhershëm me kryeministrin malajzian Anwar Ibrahim, duke theksuar se Kamboxhia vazhdon të kërkojë një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Kuala Lumpur në tetor.
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë shkëmbyer zjarr raketash dhe artilerie që prej së hënës, 8 dhjetor, në disa pika përgjatë kufirit të tyre të kontestuar prej 817 kilometrash. Këto janë përplasjet më të rënda që nga përplasja pesëditore e korrikut, e cila u ndërpre pas ndërhyrjes diplomatike të Trump, sipas tij, në atë kohë./mxh
