Muzeu Kombëtar i Libisë u rihap të premten në Tripoli, pas më shumë se dhjetë vitesh mbyllje, duke i dhënë publikut mundësinë të shohë sërish disa nga thesaret më të rëndësishme historike të vendit, për herë të parë që nga revolucioni që rrëzoi Muammar Gaddafin.
Muzeu Kombëtar, i njohur më parë si As-Saraya Al-Hamra apo Kalaja e Kuqe, u mbyll në vitin 2011 gjatë kryengritjes së mbështetur nga NATO kundër sundimtarit të hershëm. Pikërisht nga muret e kësaj kalaje, Gaddafi mbajti një nga fjalimet e tij më të ashpra, pak pas shpërthimit të revoltës.
Punimet e restaurimit nisën në mars të vitit 2023 nga Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU) me qendër në Tripoli, e cila erdhi në pushtet në vitin 2021 përmes një procesi politik të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
I ndërtuar në vitet 1980, muzeu shtrihet në një sipërfaqe ekspozimi prej 10 mijë metrash katrorë në katër kate. Ai përmban mozaikë dhe murale, skulptura historike, monedha dhe artefakte që datojnë që nga periudha parahistorike, duke përfshirë epokat romake, greke dhe islame të Libisë.
Koleksioni përfshin gjithashtu mumie mijëravjeçare nga vendbanimet e lashta të Uan Muhuggiag në jugun e thellë të Libisë dhe Jaghbub, pranë kufirit lindor me Egjiptin, duke e bërë muzeun një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore të vendit./mxh
